Të mos merremi me njëri-tjetrin, por të merremi me Serbinë

01 janar 2019 | 21:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se Kosova në vitin 2018, pavarësisht prej sfidave që ka pasur, ka shënuar përparim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se po bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë dhe në atë të ekonomisë.

“Nëse e marrim në tërësinë e saj, Kosova në të gjitha fushat ka shënuar përparim. Natyrisht, kemi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë në mënyrë të duhur”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se sfidë për Kosovën do të jetë Gjykata Speciale por, sipas tij, nga kjo sfidë Kosova do të dalë edhe më e fuqishme. Veseli e ka ftuar spektrin politik të flasë me një zë për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai thotë se në këtë proces partitë duhet të përballen me Serbinë e jo me njëra-tjetrën.

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Z. Veseli, në këtë fundvit keni mbajtur takimin e parë të liderëve institucionalë me ekipin negociator të Kosovës. Çka u diskutua në atë takim?

Veseli: Është mbarëvajtje e takimeve që do të mbahen në Bruksel, në fazën finale të dialogut. Ne jemi të vendosur që si shtet i pavarur dhe sovran ta përçojmë mesazhin e qytetarëve tanë në këtë proces se Kosova synon të ketë një marrëveshje me Serbinë, e cila nuk është as më shumë e as më pak sesa Kosova shtet i pavarur dhe sovran dhe që me territorin e saj të njihet nga shteti i Serbisë dhe që Kosova ta fitojë ulësen në OKB.

“Epoka e re”: Me gjithë ftesën që ju bëtë, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, nuk ishin pjesë e këtij takimi. Si e keni parë qëndrimin e tyre?

Veseli: Është në përgjegjësinë e tyre. Por, të gjithë duhet ta dinë se si pozita ashtu edhe opozita kanë përgjegjësi institucionale kushtetuese ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit. Secili duhet t’i marrë këto përgjegjësi. Ikja nga përgjegjësia është papërgjegjësi. Abuzimi me të vërtetën dhe manipulimi për qëllime elektorale mund t’i ndëshkojë partitë pikërisht për këtë fakt. Ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Me vetë faktin se në këtë proces përballë do ta kemi Serbinë, ne nuk duhet ta kemi përballë njëri-tjetrin. Spektri politik duhet të jetë unik kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të Kosovës sepse çdo formë tjetër e veprimit është kundër interesit të Kosovës.

“Epoka e re”: A pritni të reflektojnë këto dy parti në këtë drejtim, sidomos LDK-ja e cila vazhdimisht ka qenë pjesë e dialogut në raport me Serbinë?

Veseli: Ka shtatë ose tetë muaj që u bëj ftesë LDK-së dhe LV-së që të marrin pjesë në tryezat e partive politike. Në ftesën time për takimin e parë për këtë çështje ata nuk iu përgjigjen ftesës së PDK-së, por e thirren një tryezë tjetër, në të cilën unë, për shkak të interesit të Kosovës, iu përgjigja pozitivisht. Më pas, ata e mbyllën iniciativën e tryezës dhe nuk sollën asnjë qëndrim, duke zgjedhur rrugën e akuzave deri nga ato më të rëndat për kolegët e tyre. Si kryetar i Kuvendit i kam ftuar të gjithë në Kuvend, sepse kjo është shtëpia e të gjithëve, kjo është shtëpia e qytetarëve të Kosovës dhe ata nuk kanë ardhur. Pra, këtu ka një mungesë serioziteti, ka një mungesë të përgjegjshmërisë, e cila, tekefundit, është çështje e tyre. Ne jemi këtu për ta respektuar njërin-tjetrin dhe për ta respektuar vullnetin e qytetarëve, që është shteti i pavarur dhe sovran.

“Epoka e re”: Pse mendoni se po i bëjnë këto veprime këto dy parti opozitare?

Veseli: Duhet t’i pyesni ato pse po e bëjnë një gjë të tillë. Mirëpo, në atë qëndrim ka pak dinjitet. Kanë kërkuar transparencë në Kuvend për këtë proces. Tash e kanë vendimin e Kuvendit për rezolutë dhe delegacion shtetëror, por hezitojnë të bëhen pjesë e tij. Gjithsesi, kanë mundësi ende që të bëhen pjesë e këtij mekanizmi. Pavarësisht prej kësaj, Kosova do të vazhdojë të dalë përballë agresionit të Serbisë. Vendimmarrja e Kuvendit për delegacionin shtetëror është shumë legjitime dhe legale dhe ne do të vazhdojmë. Ata do të duhej t’i bashkoheshin kësaj përgjegjësie ngaqë e kanë obligim kushtetues. Motivet që qëndrojnë prapa këtyre veprimeve, qofshin mëri, qofshin interesa të ngushta, nuk janë zgjedhja më e mirë të cilën po e bëjnë.

“Epoka e re”: Frika e këtyre dy subjekteve opozitare dhe e një pjese të opinionit publik është se kjo fazë e dialogut do të sjellë kompromise të dhimbshme për Kosovën?

Veseli: Të dhimbshmit janë të dhimbshëm çdoherë. Dikur dikush ka thënë se do të jetë e dhimbshme edhe lufta për liri, por sot jemi të lirë dhe shtet i pavarur. Këto janë sfida që duhet t’i tejkalojmë. Nuk ka dhimbje më të renda sesa ato që kemi përjetuar në të kaluarën. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Është dashakeqëse për Kosovën kur një parti politike akuzon kolegët e tjerë, të cilët, po ashtu, janë përfaqësues të qytetarëve. Nëse ne jemi të ndarë, do të fitojë Serbia dhe Vuçiqi, duke u paraqitur në rolin e të moderuarit. Me veprimet aktuale opozita po i jep luks vetëm Serbisë dhe Vuqiqit. Natyrisht se i ftoj edhe sot që të bashkohen në përgjegjësitë për shtetin. Sepse në këtë drejtim janë edhe rekomandimet e të gjithë miqve tanë. Letra e presidentit Trump e thotë në mënyrë eksplicite se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Pra, këtë përkrahje po e jep aleati strategjik i Kosovës, ShBA-ja. Me sjellje të papërgjegjshme, duke refuzuar partnerët tanë strategjikë, nuk mbahet partneriteti. Nuk duhet të veprojmë si me rastin e demarkacionit, ose si me rastin e ushtrisë në vitin 2014, ku pastaj duhet të presim me vite. Në këtë mënyrë, ku po mbetet Kosova nëse partitë vazhdojnë të sillen në këtë formë?

“Epoka e re”: Është paralajmëruar se në këtë proces Kosova mund të përballet me kompromis të lëvizjes së kufirit me Serbinë ose të një lloj autonomie më të madhe të serbëve në Kosovë. Mund të garantoni se asnjëra nga këto nuk do të ndodhë?

Veseli: Frika më e madhe e frikacakut është vetë frikacaku.

“Epoka e re”: Doni të thoni se është e paqëndrueshme frika nga ky proces?

Veseli: Ne kemi një mandat qytetar dhe kushtetues që është Kosova shtet i pavarur dhe sovran. Kush janë këta që po duan ta mbrojnë Kosovën, kur ne të gjithë qenkemi kundër? Secili prej nesh e kemi nga një histori të veten, e cila tregon se çka kemi bërë ne në të kaluarën dhe çka kemi qenë në gjendje të japim për Kosovën. Jemi një gjeneratë e cila ka përjetuar robërinë, luftën dhe tash po e përjetojmë pasluftën. Pra, secili e kemi nga një certifikatë e cila tregon për sjelljen tonë në situata të lehta dhe në ato të rënda. Ajo që kërkohet sot më se shumti nga ne është që të mos merremi me njëri-tjetrin, por me Serbinë. Republika e Kosovës sot oponente kryesore e ka Serbinë. Ne si koalicion qeverisës, bashkë edhe me PSD-në, për procesin e dialogut nuk i kemi oponente LDK-në dhe LV-në.

“Epoka e re”: Përveç procesit të dialogut, në vitin 2019 Kosova pritet të përballet edhe me Gjykatën Speciale. Sa sfiduese do të jetë kjo për institucionet e Kosovës?

Veseli: Gjykata Speciale do të jetë një sfidë nga e cila Kosova do të dalë edhe më e fuqishme. Nga kjo sfidë edhe më e fuqishme do të dalë lufta e drejtë dhe e shenjtë e UÇK-së. Sfidat janë procese që nuk e ndalin Kosovën. Ne do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë, do t’i përgjigjemi kësaj sfide. Ftoj të gjithë bashkëluftëtarët t’u përgjigjen thirrjeve të Dhomave të Specializuara. Sado e padrejtë kjo Gjykatë, sado sfiduese, ne duhet ta kemi çdoherë primar interesin kombëtar të shtetit tonë.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me Qeverinë Haradinaj deri më tash?

Veseli: Qeveria e koalicionit tonë është duke i kryer përgjegjësitë dhe obligimet që i ka marrë për obligim, pavarësisht prej sfidave dhe vështirësive sepse, në vitin 2018, në vend se të merremi me çështjen e zhvillimit ekonomik, ne duhet të merremi dhe të harxhojmë energji se kush është më patriot se tjetri. Besoj se ky koalicion qeveritar këto sfida po i kalon në mënyrë të suksesshme. Janë duke u bërë reforma të thella në sistemin e drejtësisë, të cilat kanë të bëjnë me luftën e drejtpërdrejtë kundër korrupsionit. Këto reforma vendet në rajon nuk po mund t’i kalojnë, kurse Kosova vetëm se i ka kaluar. Po ashtu, në sistemin e shëndetësisë do të ketë reforma të thella për përkrahjen e punonjësve shëndetësorë dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për qytetarët tanë. Kosova do të jetë më mirë sesa ka qenë në çdo muaj dhe në çdo vit. Pra, Kosova po shënon përparim. Ne do ta fuqizojmë edhe më tepër sektorin e prodhimit. Me një mori vendimesh, Ministria e Financave ka hequr taksat doganore për lëndë të parë prodhuese. Heqja e këtyre taksave do të ketë efekt shumë pozitiv për sektorin prodhues. Në fushën e sportit dhe kulturës ka një përkrahje që po e jep ky koalicion qeveritar. Vazhdon mbështetja për krenarinë e Kosovës, për sportin e xhudos. Tashmë nuk e kemi vetëm Majlinda Kelmendin, por i kemi disa xhudistë e xhudiste që po marrin medalje të arta. Po ashtu, në futboll kemi pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku Kosova në Ligen e Kombeve nuk ka pasur asnjë humbje në këtë vit. Edhe në basketboll kemi suksese të mëdha, ku Klubi i Basketbollit Prishtina tashmë është në mesin e 16 klubeve më të mira në Evropë. Nëse e marrim në tërësinë e saj, Kosova në të gjitha fushat ka shënuar progres. Natyrisht, kemi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë në mënyrë të duhur. Armiku numër një mbetet lufta kundër korrupsionit, por qytetarët e Kosovës, së bashku me institucionet, mund ta mposhtin edhe këtë të keqe.

“Epoka e re”: Suksesi më i madh i këtij koalicioni po llogaritet formimi i ushtrisë së Kosovës, por si ngecje çfarë do ta konsideronit?

Veseli: Formimi i ushtrisë ka qenë deserti i punës së madhe që ka bërë ky koalicion qeverisës. Ushtria është dashur të kryhet në vitin 2014, kur kemi pasur mundësi që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese. Sido që të jetë, më i madh nga të gjithë ne, më vendimmarrësi, është qytetari i Kosovës. Këtij vullneti nuk duhet t’i frikësohet askush. Ngecja më e madhe në këtë vit ndoshta ka qenë çështja e dialogut me Serbinë. Një vit si spektër politik nuk kemi arritur një konsensus që të ballafaqohet me Serbinë, ndërsa në anën tjetër mes vete flasim me gojën plot për patriotizëm. Ky mendoj se ka qenë dështimi më i madh i politikës në Kosovë gjatë këtij viti. Neve na takon që bashkërisht t’i tejkalojmë sfidat që kanë të bëjnë me Serbinë sepse atë e kemi kundërshtar.

“Epoka e re”: Pritja më e madhe që keni pasur edhe ju si koalicion qeverisës, por edhe qytetarët, ka qenë liberalizimi i vizave, i cili nuk ndodhi. Cila është përgjegjësia e institucioneve në këtë proces?

Veseli: Përgjegjësia e institucioneve është në çdo proces, por në momentin kur i plotëson të gjitha kriteret që kërkohen dhe më nuk varet diçka nga shteti i Kosovës, atëherë minimizohet kjo përgjegjësi. Duhet ta pranojmë se vonesat që kanë ndodhur me mosmiratimin e marrëveshjes së demarkacionit e kanë vonuar edhe Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Por, sjellja e BE-së, kur kemi realizuar të gjitha kriteret teknike më shumë se çdo vend tjetër, nuk është e drejtë. Sepse lufta kundër korrupsionit në Kosovë është më e suksesshme se në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, e mos të flasim për Ukrainën ose Gjeorgjinë. Kjo është pak e dhimbshme. Gjithsesi, qytetarët tanë këtë duhet ta marrin edhe si mesazh, se duhet të jemi edhe më të fortë, duhet të punojmë edhe më shumë.

“Epoka e re”: Njohësit e rrethanave politike paralajmërojnë se pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor, PDK-ja mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. A mund të jetë 2019-ta vit i zgjedhjeve të reja nacionale?

Veseli: PDK-ja tradicionalisht e ka treguar shembullin se më shumë se për pushtet ka menduar për momentin në të cilin është vendi. Kjo ndoshta e ka krijuar edhe këtë idenë se pse shkohet në zgjedhje. Herën e kaluar ne kemi shkuar në zgjedhje në momentin që nuk kemi pasur vendimmarrje. PDK-ja, në momentin që sheh se nuk ka vendimmarrje, nuk ka lëvizje përpara, u kthehet çdo herë qytetarëve. Nuk është asgjë më të mirë sesa kur ngec diçka t’ia kthesh mandatin qytetarëve dhe ata përsëri me vullnetin e tyre të vendosin se si të ecet përpara. Koalicioni qeveritar tani është duke punuar shumë mirë. Kryeministri është duke e bërë punën e vet, unë do t’i jap përkrahje maksimale, ashti siç i kam dhënë përkrahje deri më tash në të gjitha vendimet.

“Epoka e re”: Për fund, të flasim pak edhe për PDK-në. Ky subjekt politik tashmë ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor. Si po ecën ky proces?

Veseli: Zgjedhjet për Rininë Demokratike kanë qenë një nismë e jashtëzakonshme e reformave në procesin zgjedhor të PDK-së. Në këtë proces, rinia na ka dhënë shembull se sa resurse ka PDK-ja dhe çfarë shpresa paraqet te njerëzit e vendit kjo parti. Këtë shembull po e praktikojmë edhe në zgjedhjet e përgjithshme brenda PDK-së. Kemi mbajtur mbi 1 000 takime deri më tani dhe në 200 nëndegë kemi përfunduar zgjedhjet, ku ka qenë një proces fer, transparent dhe gjithëpërfshirës. Vetëm për të votuar në këtë proces ka raste që kanë pritur njerëzit deri në pesë orë. Para disa ditësh ishin zgjedhjet në një nëndegë të Prizrenit, në lagjen Arbana, ku kishin 256 delegatë, që i janë nënshtruar një procesi demokratik zgjedhor. Në shumicën e nëndegëve që kemi qenë, ka pasur një pjesëmarrje masive të të rinjve dhe intelektualëve, të cilët janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre. Besoj se ky është një sihariq i mirë. Mendoj se është një potencial i jashtëzakonshëm që po zgjohet. Ky zgjim qytetar dhe politik e ka një adresë dhe ajo është PDK-ja dhe Dekada e Re. Edhe më tutje do të vazhdojmë të jemi shembull i transparencës dhe demokracisë në Kosovë. PDK-ja është adresa më e fuqishme politike dhe kombëtare në Kosovë.

“Epoka e re”: Cili është urimi juaj për qytetarët e Kosovës?

Veseli: Gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë ua uroj Vitin e Ri, duke u dëshiruar gjithë të mirat! I falënderoj për përkushtimin e treguar gjatë këtij viti. Në mënyrë të veçantë uroj të gjithë njerëzve tanë që jetojnë jashtë Kosovës, e të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe bërjen e Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Humbja 3-1 e pësuar në shtëpi kundër Wolves në takimin…