Rruga e Dua Lipës drejt famës: Nga shtëpia me qira te çmimi ‘Grammy’

18 shkurt 2019 | 12:32

Vetëm një vit më parë jetonte në një banesë modeste me qira, ndërsa sot dominon muzikën botërore.

Ky është thelbi i artikullit të “The Sun” kushtuar këngëtares shqiptare Dua Lipa, e cila është bërë për të dytin vit radhazi artistja më e nominuar në “Brits Awards”.

Të premten, asaj i është kushtuar edhe një figure dylli në Madame Tussauds të Londrës.

Të gjitha këto kur vetëm pak kohë më parë, 23-vjeçarja jetonte me familjen e saj në një banesë të ngushtë në Londër, është thënë në artikull.

“The Sun on Sunday” ka kontaktuar me miqtë e këngëtares dhe ish-fqinjët e saj për të biseduar lidhur me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të vajzës së refugjatëve nga Kosova drejt famës.

Një mikeshë e saj, Zana Veseli, të cilën Dua e njeh që fëmijë, ka pohuar për gazetën e njohur britanike se fama nuk e ka ndryshuar këngëtaren e bukur.

“Dua është personi i njëjtë që ka qenë gjithmonë. Gjatë gjithë jetës ka dashur të bëhet yll i muzikës pop. Është e mrekullueshme që po fiton aq shumë çmime”, citohet të ketë thënë ajo.

Më tutje “The Sun” ka treguar për largimin e familjes së Duas nga Kosova në vitin 1992, si pasojë e shtypjes së popullatës shqiptare nga regjimi serb, dhe rikthimin ne atdhe kur këngëtarja ishte 11 vjeç.

Katër vjet më vonë, megjithatë ajo do të zhvendosej serish në Londër, e në 2012-tën, do t’i bashkoheshin dhe të afërmit me të cilët jeton sot në një shtëpi luksoze në Kilburn të Londrës Veriore.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtatë deputetë të Partisë Laburiste janë larguar nga kjo parti…