Sonte zhvillohet ‘El Clasico’

18 dhjetor 2019 | 12:18

Sonte (e mërkurë) nga ora 20:00 zhvillohet “El Clasico” në mes të Barcelonës dhe Real Madridit, ndeshje që konsiderohet si një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe madhështore në futbollin botëror.

Jo më kot quhet “klasike”, por këtë herë sfida Barça – Real vjen më e ngarkuar se kurrë me çështje politike dhe të tjera që kanë pak lidhje me futbollin.

Atmosfera është e rënduar, teksa opinioni sportiv dhe jo vetëm në Spanjë zien nga polemikat që vijojnë nga vendimi për të shtyrë këtë sfidë, që duhej të luhej që në tetor. Por larg tyre duket se qëndrojnë protagonistët e vërtetë. Lionel Messi dhe Zinedine Zidane mendojnë vetëm për futbollin. Madje “Pleshti” i Barcelonës ka vetëm fjalë të mira për trajnerin e rivalëve të përjetshëm, kur pyetet se përse ai vërshëllehet nga tifozët madrilenë. “Është diçka e pakuptimtë, por gjithsesi ne që luajmë në nivele të larta e dimë shumë mirë që tifozët harrojnë ato që kemi arritur dhe kërkojnë çdo ditë më shumë”, ka thënë Messi, që më pas nuk e fsheh objektivin e skuadrës së tij, gjithmonë i njëjtë për “El Classico”.

“Kjo ndeshje është speciale, e tillë është edhe çdo fitore”, ka vijuar sulmuesi argjentinas. Sfida e së mërkurës pritet t’i prishë ekuilibrat në garën për titull, pasi Barcelona dhe Real Madridi vijnë në këtë përballje me pikë të barabarta në krye të renditjes. “E rëndësishme është të luajmë ndeshjen dhe ta shijojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Në fund të fundit, si ne ashtu edhe Barcelona këtë kërkojmë. Këto janë ndeshjet që gjithsecili ëndërron të luajë. Një ndeshje e madhe futbolli, pjesa tjetër nuk ka rëndësi”, ka thënë Zidane, duke larguar ekipin e vet nga presioni që ka rrethuar “El Clasico” e parë sezonal në La Liga.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari në largim i Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur optimist…