Loriana Kukës i ngritët Bursa Olimpike ‘Tokio 2020’
Loriana Kuka ka nënshkruar kontratën e re me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për Bursën Olimpike “Tokio 2020”.
Me propozimin e KOK-ut, xhudistes Kuka i janë ngritur të ardhurat nga Bursa Olimpike “Tokio 2020”, nga 150 dollarë në 500 dollarë në muaj. Ngritja e bursës vjen falë paraqitjeve të mira në vitin 2019 ku Loriana Kuka (-78 kg) ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror “Tokio 2019”, si dhe medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”. Suksesi nuk i ka munguar as në garat Grand Slam e Grand Prix. Ajo ndodhet brenda normës olimpike “Tokio 2020”.
Kontrata u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, xhudistja Loriana Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. “Në emër të KOK-ut shprehu kënaqësinë që kemi mundësinë për ta ndërruar kontratën me Loriana Kukën, e cila vjen si rezultat i arritjeve të saj të jashtëzakonshme, prandaj në mënyrë solemne po e bëjmë nënshkrimin e kontratës”, ka deklaruar presidenti Hasani.
Xhudistja Kuka e falënderoi KOK-un për mbështetjen e vazhdueshme. “Është kënaqësi e madhe që kemi përkrahje të tillë”, ka deklaruar ajo. I pari i FXHK-së, Agron Kuka, falënderoi presidentin Hasani, KOK-un dhe SO të KON-in që i kanë vlerësuar rezultatet e Lorianës. “Loriana e ka pasur një bursë, por me arritjen e rezultateve kulminante KOK-u ka marrë vendim për rritjen e mbështetjes, andaj uroj që Loriana të na gëzojë me rezultate edhe në vitin 2020”, u shpreh Kuka. Krahas medalistes së bronztë botërore, KOK-u, falë mbështetjes së SO të KON-it, ndanë edhe 17 bursa të tjera olimpike “Tokio 2020”, tri bursa olimpike “Pekin 2022”, ndërsa nga fondi i vet u ndanë nga 100 euro në muaj gjashtë Shpresave Olimpike 2019.
/Epoka e re/