Mikhail Mishustin votohet për kryeministër të Rusisë
Duma Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë, e ka miratuar me shumicë votash të emëruarin e presidentit Vladimir Putin për kryeministër, Mikhail Mishustin.
Në favor të Mishustinit kanë votuar 383 ligjvënës, ndërsa 41 kanë abstenuar.
Të mërkurën, Putini e ka propozuar Mishustinin, ish-shef i Shërbimit Federal të Taksave, për kryeministër, pasi Qeveria e Dmitry Medvedevit kishte dhënë dorëheqje.
Medvedevi ka thënë se dorëheqja pason thirrjet e Putinit për ndryshime të mëdha kushtetuese.
“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, ka thënë Medvedev, teksa kishte njoftuar për dorëheqjen.



