Drenicasi që ruante Madonën dhe Mbretëreshën e Danimarkës

16 janar 2020 | 14:39

Muharrem Bërbatovci nga fshati Godanc i Drenasit ka disa vjet që jeton në Danimarkë dhe që 18 vjet shërben në Armatën Daneze. Në sajë të punës së tij me korrektësi dhe besueshmëri shpeshherë i është besuar siguria e personaliteteve me rëndësi të veçantë. Muharremi është modest dhe me hezitim flet për angazhimin e tij në punë. Por, janë autoritetet daneze ato që e kanë vlerësuar lart punën e Muharremit dhe besnikërinë e tij, andaj e kanë përzgjedhur shpeshherë për mbrojtjen dhe sigurinë e njerëzve. Muharremi tregon se si ishte përzgjedhur për sigurimin e yllit të muzikës Madona gjatë koncerteve të saj në Danimarkë. “Kur e mora këtë lajm u befasova Më thanë se jam zgjedhur për ta siguruar Madonën vetëm se jam me origjinë shqiptare. Për 12 orë kam qenë afër saj si shef i sigurimit të saj. Madona, në një rast, më tha: ‘Ju shqiptarët jeni besnikë. Dhe për sa kohë që unë jam këtu në Danimarkë ju do të më ofroni mbrojtje të afërt’. Ngjarja rrodhi kështu: Madona kishte një koncert këtu në Danimarkë më 16 nëntor 2015, në qytetin Herning. Unë isha në orar të punës. Më telefonon shefi im dhe më thotë se është bërë një ndryshim, se duhet të lajmohesh në një hotel ku do ta marrësh informacionin e duhur e që është me shumë rëndësi. Më tregoi, po ashtu, se telefoni nuk lejohet, vetëm radio-lidhja. Aty më pritën dy- tre persona, dy amerikanë dhe një danez, të cilët më njoftuan për detyrat që kisha. Më prezantuan te Madona dhe për 12 orë unë isha në mbrojtjen e afërt, përcillja lëvizjet e saj në hotel”. Sipas Muharremit, Madona është “shtet në vete”, ka sigurimin privat dhe gjithë stafin, por “sigurimi i afërt i saj qëndronte 100 metra larg saj, ndërsa unë qëndroja te dera e dhomës në hotel Skandinik. Në dhomën e saj lejohej të hynte vetëm një femër që kujdesej për rrobat dhe frizurën e saj. Aty ishte edhe kuzhina dhe kuzhinieri i saj, që kishte ardhur me inventar prej Amerike. Gjatë kohës sa e siguroja kam biseduar disa herë me të. Pas përfundimit të koncertit më falënderoi për përkujdesjen ajo dhe shefi i sigurimit”, ka rrëfyer disa prej çasteve të mbrojtjes së afërt që Muharremi i ka bërë Madonës.

Një angazhim tjetër i tij me shumë rëndësi ka qenë në dasmën e djalit të Mbretëreshës së Danimarkës, më 24 maj 2008. “Për katër orë rresht e kam siguruar makinën e Mbretëreshës. Madje kjo ka qenë një befasi për të gjithë kolegët e mi të punës, se si ka mundësi që mua ma besuan këtë detyrë. Bile edhe vetë isha i befasuar si nuk u zgjodhën tre kolegët e mi danezë, por unë.

Muharrem Bërbatovci është i angazhuar edhe në aktivitetet e mërgatës në Danimarkë. Ka dhënë dhe vazhdon të jap kontribut për çështjen kombëtare duke u takuar edhe me personalitete me ndikim si me kryeministrin danez, me parlamentarë të ndryshëm etj. Është angazhuar edhe në debate të drejtpërdrejta me përfaqësues të shqiptarëve. Ai ka kontribuar po hapjen e Radios Shqiptare në Danimarkë të cilën e ka udhëhequr tri vjet. Për punën e tij është nderuar me disa mirënjohje edhe nga shteti danez, kurse për meritat dhe mirënjohjet e tij kanë shkruar mediat daneze.

 

(Enkas për “Epokën e re” nga Izet Abdyli)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentët Vladimir Putin dhe Bashar Al Assad janë filmuar në…