PDK-ja: LV-ja është shkaktarja e vetme e krizës, po i shmanget përgjegjësisë qeverisëse

20 janar 2020 | 16:42

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë me dije se është duke i përcjell me shqetësim zhvillimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, të cilat sipas kësaj partie janë duke e vazhduar fushatën parazgjedhore.

Partia e Kadri Veselit në një reagim publik ka theksuar se parimet e LV-së dhe LDK-së të prezantuara zëshëm janë shndërruar në pazare për karrige.

Reagimi i plotë i PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po i përcjell me shqetësim zhvillimet e këtyre pothuaj katër muajve të fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, të cilat po e vazhdojnë fushatën parazgjedhore, por me mjete të tjera dhe në dëm të Kosovës. Parimet e tyre të prezantuara zëshëm janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës.

PDK-ja ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë.

Prandaj, çdo përpjekje për të gjetur justifikime, ose për të tjetërsuar përgjegjësitë në këtë vonesë nga Lëvizja Vetëvendosje, është e papranueshme. Kjo parti politike është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e saj.

Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar. Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar.

PDK-ja si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,…