Pneumologu: Koronavirusi s’është një grip i zakonshëm
Mjeku i njohur pneumolog Perlat Kapisyzi tërheq vëmendjen e shqiptarëve të bëjnë kujdes, pasi nuk kemi të bëjmë me një grip, por me një virus që ka vdekshmëri të lartë. Duke folur rreth koronavirusit në Shqipëri dhe për pasojat e tij në një intervistë për emisionin “Përballë” në RTSH, ai tha: “Nuk është grip. Nëse pandemitë e gripit e kanë mortalitetin nga 0-1 % deri në 2-3 % Covid-19 thuhet deri tani e ka vdekshmërinë 2 %, 3 %”. I pyetur se sa rrezik ka që të shëruarit të infektohen sërish, doktori tha se shanset janë të vogla, por ekziston si mundësi.
“Gjasat janë të vogla që një pacient i shëruar ta marrë sërish virusin. Gjasat janë mbas një kohe që ëi lejon virusit të pësojë një mutacion. Ashtu si gripi, ne e marrim një vit, por mund ta marrim sërish vitin tjetër nëse ka ndodhur një mutacion”, theksoi doktori. Shkencëtarë të ndryshëm në botë ndajnë mendime të ndryshme sa i takon efektit që do të kenë temperaturat e larta kundër virusit korona.
“Shpresat janë, por shpresat nuk janë që ‘të presim ishallah po ngrohet koha’. Teoria e ngrohjes së kohës është si ajo që ‘o Zot më ndihmo të më bjerë lotaria’, edhe pse nuk blinte lotari. Temperaturat mund ta frenojnë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të fortë në vendimmarrje për sa i përket kufizimit dhe distancimit social. Sigurisht dhe higjienës personale”, – tha mjeku.



