KOSOVA ËSHTË MË E MADHE SE INTERESAT E NGUSHTA TË POLITIKANËVE

20 mars 2020 | 22:23

Po jepen ide të ndryshme për tejkalimin e kësaj situate absurde në të cilën ndodhet Kosova, ndërkohë që po mungon përgjigja ndaj një ankthi që po vjen nga  Serbia. Beogradi, në emër të gjendjes së jashtëzakonshme, po e përforcon praninë e vet në Veriun e Kosovës dhe kordonin ushtarak e policor përreth Kosovës. Këtë shtrëngim po e përjetojnë rëndë sidomos banorët shqiptarë në Serbinë Jugore, në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, të cilët janë tepër të shqetësuar me këtë militarizim të hapësirës ku ata jetojnë

Nga Mehmet PRISHTINA

Bashkëshortja e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, iu bashkua protestës që u mbajt të enjten në mbrëmje kundër mocionit të LDK-së për rrëzimin e Qeverisë.
Pjesëmarrja e saj në këtë protestë, mund të mos ketë efekt të drejtpërdrejt politik, por është një sinjal që i dërgohet opinionit publik dhe klasës politike, se zhvillimet e fundit politike në Kosovë po ndiqen me vëmendje në familjen Kosnett, ku zoti i saj i shpisë është përfaqësues diplomatik i shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik në  botë – SHBA.

Me këtë gjest, zonja Kosnett ka lënë të kuptohet se nuk e pranon ndërhyrjen e disa faktorëve politik në punën e mirë që po bën qeveria me menaxhimin e situatës emergjente në vend, si pasojë e përhapjes pandemike të virusit Covid-19.

“Mezi po pres deri në orën 20:00 që t’iu bie tenxhereve dhe fërtereve këtu në Prishtinë” kishte shkruar Alison Kosnett, para se të merrte pjesë në këtë protestë.

Vetëm dy ditë më parë, ambasadori Kosnett, përgëzoi kryeministrin Albin Kurti për performancën e deritanishme të qeverisë, aprovimin e Buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe për masat e ndërmarra dhe angazhimin e qeverisë në lidhje me Corona Virus COVID-19. Nga ana e tij, kryeministri Kurti e ka falënderua ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës dhe theksoi se për vendin, në këto momente, është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i kushtohet tërësisht vëmendje aspektit shëndetësor të njerëzve dhe vitalitetit të ekonomisë.

Ndërkohë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me zhvillimet në Kosovë. Ajo përmes një prononcimi në Twitter ka thënë se “nëse LDK-ja paraqet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës është, atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte katastrofë, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin”, ka shkruar Viola von Cramon, e cila ka paralajmëruar fatkeqësi për tërë rajonin, nëse në Kosovë iniciohet mocioni për mosbesimin e qeverisë. Von Cramon ka qenë edhe udhëheqëse e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, që eskaluan me inicimin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, nga ana e LDK-së, megjithatë nuk e kanë miratimin e qytetarëve anë e kënd Kosovës, të cilët konsiderojnë se tani për tani prioritet mbi prioritetet është përballja me armikun padukshëm, Covid-19, i cili është bërë kërcënim serioz për jetën e njerëzve. Si reflektim i kësaj pakënaqësie,  përveç Prishtinës, edhe qytetet tjera iu bashkuan thirrjes për protesta pas zhvillimeve të fundit politike në vend. Protestat u mbajtën prej shtëpive dhe banesave si pasojë e vetizolomit të qytetarëve pas përhapjes së virusit Covid-19.

‘’Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit’’, kanë shkruar iniciatorët e kësaj proteste qytetare.

Por, skena politike e Kosovës, jo gjithmonë e ndjek ritmin e asaj që troket si brengosje në zemrën e çdo qytetari. Tani për tani, kjo brengosje lidhet me tejkalimin e situatës emergjente, si pasojë e përhapjes së virusit Covid -19, i cili është bërë makth për gjithë globin. Por, institucionet përkatëse shtetërore, në kuadër të Komitetit për menaxhim me krizat, me sukses po e përballojnë këtë pandemi, e cila pritet të ketë përhapje në ditët në vijim, por ende nuk janë krijuar rrethanat që kjo situatë të menaxhohet me masa ekstreme, siç propozoi Presidenti Thaçi, për arsye se Qeveria në  bashkëpunim me institucionet e shëndetësisë, të policisë e infrastrukturës, po ia dalin që situatën ta kenë nën kontroll. Për këtë menaxhim institucional të krizës shëndetësore, Qeveria Kurti madje  mori lavdërata edhe nga diplomatët e huaj.

Përtej kësaj, në prapavijën e konflikteve politike në Kosovë, ngjarjet e fundit mund të merren vetëm si pretekst, pasi që kishte çështje të tjera që këtë konflikt e bënin edhe më të ashpër. Në ashpërsimin e këtyre konflikteve gjithsesi kishin kontribuuar disa tema të pambyllura nga legjislatura e kaluar, siç ishte taksa 100%, si dhe bisedimet e papërfunduara me Serbinë, ku Presidenti Thaçi kishte shfaqur një protagonizëm të theksuar falë edhe mbështetjes që i erdhi në vazhdimësi nga përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë në Washington.

Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, megjithatë, kishte qëndrim të qartë sa i përket këtyre çështjeve. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte pajtuar që në programin qeverisës të vendoste reciprocitetin si masë që do ta zëvendësonte heqjen e taksës, kurse bisedimet me Beogradin t’i udhëhiqte një ekip i zgjeruar në krye me Kryeministrin Kurti.

Nga ana tjetër, presioni amerikan për heqjen e taksës pa kushte, ishte i vazhdueshëm, ndërkohë që përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë filluan të komunikojnë drejtpërdrejt me njerëz të caktuar të LDK-së, duke i motivuar ata që të ushtrojnë trysni më të madhe mbi Kryeministrin Kurti për heqjen e taksës.

Në një situatë të tillë, LDK hoqi dorë nga një pjesë programit qeverisës dhe nga premtimet elektorale për zëvendësimin e taksës me reciprocitet dhe në këtë mënyrë diferencat në mes përfaqësuesve të këtij subjekti politik dhe vet kryeministrit Kurti filluan të rriten. Deklarimet publike të përfaqësuesve të LDK për çdo ditë binin ndesh me qëndrimet e kryeministrit Kurti dhe kjo ishte një situatë e padurueshme që kërkonte vetëm një ventil të shpërthejë.

Përfundimisht u gjet ventili. Ai është Agim Veliu. Shkarkimi i tij nga posti i ministrit të Brendshëm, u përdor nga LDK si  gurë për të thyer dy arra: edhe me rrëzu Qeverinë Kurti, edhe me mbetë miqë me Washingtonin.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, i iniciuar nga deputetët e LDK, me përjashtim të tre prej tyre, hap një faqe të re në krizën politike të Kosovës, e cila më së paku iu ka dashtë kur ajo tash më po ballafaqohet me një krizë edhe më të frikshme, siç është përhapja e virusit  Covid – 19.

Po jepen ide të ndryshme për tejkalimin e kësaj situate absurde në të cilën ndodhet Kosova, ndërkohë që po mungon përgjigja ndaj një ankthi që po vjen nga  Serbia. Beogradi, në emër të gjendjes së jashtëzakonshme, po e përforcon praninë e vet në Veriun e Kosovës dhe kordonin ushtarak e policor përreth Kosovës. Këtë shtrëngim po e përjetojnë rëndë sidomos banorët shqiptarë në Serbinë Jugore, në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, të cilët janë tepër të shqetësuar me këtë militarizim të hapësirës ku ata jetojnë.

Shqiptarët në Serbinë e Jugut janë të vetëdijshëm se Prishtina zyrtare asgjë nuk mund të bëjë tani në këto momente dramatike, por ata konsiderojnë se ndihma më e madhe për ta do të ishte uniteti politik e institucional të të gjithë faktorëve në Kosovë, sepse vetëm përmes një Kosove stabile mund të sigurohet edhe ruajtja e qenies së rrezikuar kombëtare shqiptare në Serbinë e Jugut.

Jo rastësisht këtë shkrim e filluam me një zonjë amerikane, e cila është artikulimi më fisnik i pakënaqësisë qytetare kundrejt politikave joparimore që po zhvillohen në Kosovë.

Ka ende hapësirë për mendim racional. Mjafton të nxirret Kosova para interesit të ngushtë të çdo politikani dhe shumë shpejt arrihet te ky mendim. Por, për këtë nevojitet kurajo dhe heqje dorë nga ideja se “vetëm unë ( dhe jo ti), kam të drejtë”.

Tani për tani duhet Kosovës t’i jepet përparësi dhe interesave sublime të saj që lidhen me të ardhmen brezave, sepse nëse nuk ndodhë kjo atëherë në emër të Kosovës mund të flet dikush tjetër, i cili të gjithëve mund të na bëj të palumtur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes…