Haradinaj: Prioritetet e Qeverisë së re, pandemia, ekonomia dhe fuqizimi i partneritetit ndërkombëtar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mbajtur takime me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga partia e tij.
Ai ka thënë se bashkë me ta ka diskutuar edhe për prioritetet e qeverisë që po synon ta formojnë bashkë me LDK-në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet.
Haradinaj ka thënë se në listën e prioriteteve është edhe fuqizimi i partneritetit me aleatët, që sipas tij, janë të dëmtuara.
“Gjatë ditës së sotme kam zhvilluar një takim pune me kryetarët e komunave, të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Fokus i diskutimit ishte situata e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe masat e ndërmarra nga Komunat në këtë kohë kritike. Po ashtu, shqyrtuam prioritetet e AAK-së dhe përgjegjësitë tona në ndihmën për të tejkaluar krizën institucionale me Qeverinë e ardhshme. Aleanca konsideron se prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë përballja me pasojat e pandemisë, rimëkëmbja ekonomike në vend dhe fuqizimi i partneritetit të dëmtuar me aleatët strategjikë të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”..
https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/photos/a.228559177268504/1734927733298300/?type=3&theater



