Todt: Ja pse Alonso dhe Vetteli kanë dështuar me Ferrarin
Prej 13 vitesh, skuadra e Ferrarit nuk arrin të triumfojë me pilotët e saj në Formula 1 edhe pse e kanë pilotuar kampionë bote.
Fillimisht Red Bull dhe më pas Mercedes kanë arritur të mposhtin pilotët e “kokëkuqes”. Gjatë dhjetë viteve të fundit në makinën nga Maranello kanë qenë dy kampionë absolutë si Fernando Alonso e Sebastian Vettel. Gjithsesi, të dy kanë dështuar të shpallen kampionë me makinën italiane. Jean Todt, njeriu që drejtoi Ferrarin në periudhën e artë me Michael Schumacher, bën një analizë.
“Ky është një sport ku kombinohen mes tyre piloti, makina dhe skuadra. Nëse këto tre komponentë ecin së bashku në të njëjtin drejtim, atëherë piloti mund të synojë titullin”, ka thënë Todt. “Fakt është se Alonso e Vettel nuk kanë pasur një makinë Ferrari të fortë. Mund të jesh i talentuar, por nëse nuk ke një mjet të shpejtë e të besueshëm, nuk mund të garosh për fitore. Mos harroni, edhe Schumacher iu desh kohë të shpallej kampion me Ferrarin”, ka deklaruar Jean Todt.



