Veliu takon përfaqësueset e UNDP-së, diskutojnë për pandeminë Covid-19
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka pritur sot në takim koordinatoren për zhvillim të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko dhe Marta Gazideda, zëvendëskoordinatore e programit dhe menaxhere e portfolios për qeverisje, me të cilat ka biseduar për ballafaqimin me pandeminë Covid-19 dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve që përfaqësojnë.
Veliu ka theksuar se tashmë institucionet e Kosovës përgjegjëse për menaxhimin e kësaj pandemie kanë publikuar “Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”, si dhe i ka njoftuar pjesëmarrësit se kanë marrë të gjitha masat e duhura për parandalimin e përhapjes së pandemisë tek shërbyesit civilë, raporton “Epoka e re”.
Gjithashtu, në këtë takim edhe një është shprehur herë gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit mes UNDP-së dhe MPB-së edhe në çështjet tjera ekonomike dhe shoqërore.
Në fund të këtij takimi, përfaqësuesit e OKB-së dhe UNDP-së në Kosovë, kanë vlerësuar lartë punën e institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kësaj pandemie dhe theksuan se do të vazhdojnë t’i mbështesin edhe më tutje.



