Hyseni thotë se ShBA-të do të jenë me Kosovën gjatë gjithë procesit të dialogut
Skender Hyseni, koordinator shtetëror pë dialog, ka bërë të ditur se është takuar sot në Bruksel me Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Filip Reeker.
Hyseni ka treguar se me Reekerin ka pasur një bisedë miqësore, ku fokusi i saj ishte dialogun Kosovë-Serbi.
“Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Skender Hysenit:
Pata knaqësinë të takoja sot në Bruksel Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, mikun tim të kahmotshëm, Philip Reeker. Gjatë këtij takimi shumë të përzemërt, me ambasadorin Reeker bëmë një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në dialogun e rinisur midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Krahas BE-së, theksova se roli i SHBA-ve në këtë process është i pazëvendsueshëm. Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.