Ambasadori Dedaj takon ambasadoren e Suedisë, temë diskutimi agjenda evropiane
Ambasadorja e Suedisë në Shkup, Kristin Forsgren Bengtsson, ka pritur në rezidencën e saj, Gjergj Dedajn, ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ambasadori Dedaj e ka njoftuar diplomaten e Suedisë me zhvillimet politike në Kosovë, duke ritheksuar se duhet të intensifikohet perspektiva evropiane dhe procesi i integrimit euroatlantik i Kosovës dhe e të gjitha vendeve të rajonit.
Njëkohësisht, Dedaj ka ritheksuar se ka ardhur koha e liberalizimit të vizave dhe së është imediate që vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, këtë duhet ta bëjnë sa më parë, ngase, sipas tij, kjo i kontribuon përmbylljes së negociatave dhe njohjeve reciproke të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, ambasadorja e Suedisë ka ritheksuar se vendi i saj dhe shtetet anëtare të BE-së, duan të shohin progres demokratik, përmbushje të standardeve të BE-së dhe të hapet mundësia e integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë.
(Q.R / Epoka e re)



