Beteja me Covid-19 nuk ka përfunduar

18 tetor 2020 | 08:49

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se beteja me Covid-19 nuk ka përfunduar dhe, sipas saj, këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve, raporton “Epoka e re”.

“Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i saj:

Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

Praktika e shteteve të hemisferës jugore të cilat kanë praktikuar mbajtjen e maskës gjatë sezonës dimërore ka dëshmuar jo vetëm mbrojtje nga COVID-19 por edhe nga gripi sezonal.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shteti i Serbisë po vazhdon ta shkelë marrëveshjen për Tregti…