Kontrabanda me barna, reagojnë farmacistët: Ne jemi viktima të këtij sistemi

15 nëntor 2020 | 22:43

Oda e Farmacistëve të Kosovës, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në “Facebook”, ka reaguar ndaj disa kronikave për kontrabandën me barna.

Në këtë reagim thuhet se “Në rast se ka kontrabandë, apo nëse ka parregullësi në një barnatore (apo në një numër të izoluar të rasteve) mund të jetë rezultat i cili mund të ketë trajtim të shpejtë por në rast se ky është fenomen i zgjeruar në masë atëherë ky problem duhet ti zgjojë politikëbërësit”.

Të njëjtit madje thonë se vet ata janë viktima të këtij sistemi.

Ky është reagimi i plotë:

Këtyre ditëve në disa media por edhe nga raporti i kryeinspektorit u dhanë shifra shumë shqetësuese rreth punës në barnatore, çmimeve të barnave dhe kontrabandës dhe kjo tregon se diçka (lexo shumëçka) nuk është në rregull.

Ne si OFK i pyesim politike bërësit: Pse po ndodhin këto fenomene? Pse ka kontrabandë të barnave? Pse ka ndryshime të çmimeve? Pse janë çmimet kaq të shtrenjta? Pse shumëçka???.

Në rast se ka kontrabandë, apo nëse ka parregullësi në një barnatore (apo në një numër të izoluar të rasteve) mund të jetë rezultat i cili mund të ketë trajtim të shpejtë por në rast se ky është fenomen i zgjeruar në masë atëherë ky problem duhet t’i zgjojë politike bërësit.

Farmacistët janë viktima të këtij sistemi (përjashto disa raste individuale) dhe ata të cilët ka shumë vite po kërkojë rregullimin e sistemit të farmacisë me disa prej çështjeve si:

– Çmimet e barnave (udhëzimi në fuqi por nuk po zbatohet)

– Kufizimi i numrit të barnatoreve në raport me numrin e banorëve

– Përcaktimi i distancës mes barnatoreve

– Kufizimi i pronësisë – pronari farmacist

– Zbatimi i orarit të plotë të punës me prezencë të farmacistit/farmacistëve

– Zbatimi i recetës për barna

– Reimbusrimi i barnave

– Etj, etj.

Shembujt me ndryshimet marramendëse të çmimeve dhe pasojave të kontrabandës në mënyrë të vazhdueshme janë theksuar në raportet dhe kërkesat e shumta nga OFK si fenomene të papranueshme dhe me pasoja shumë të rënda për sektorin farmaceutik dhe për punën në barnatore.

Prandaj, në këto raporte të mediave të cilat janë mëse të mirëpritura ne si OFK do të kërkonim një ndryshim të bëhej që viktima të mos paraqitet si shkelës, e i përgjithësuar si profesion i tërë. Importi i barnave në shumicën absolute të rasteve nuk bëhet nga farmacistët dhe kontrabanduesit gjithashtu nuk janë farmacistët. Farmacistët janë shkalla e fundit e këtij zinxhiri – në barnatore dhe deri sa procesi vjen në fund janë disa shkallë, prandaj mos ia mvishni kontrabanden farmacistit.

Importuesit, kontrabanduesit, individët e caktuar duhet të ndiqen në mënyrë individuale, kurse politike bërësit duhet të hartojnë politika, ligje të zbatueshme dhe të cilat do të mundësojnë përmbushjen e nevojave të qytetarëve me barna të cilat janë të sigurta cilësore, efikase dhe me kosto të përballueshme (dhe të ngjashme me tërë rajonin).

Në fund,  përsëri një pyetje që duhet të analizohet: PSE KA KONTRABANDË TË BARNAVE? Vetëm kur politike bërësit të analizojnë dhe kuptojnë me kujdes shkaqet pse po ndodhin këto fenomene atëherë do të jetë fillimi i zgjidhjes së tyre.

Me respekt,

Arianit Jakupi

Kryetar i OFK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për…