Ndaj Besës me kujdes, por për fitore

27 nëntor 2020 | 19:10

Futbollisti i Prishtinës, Behar Maliqi, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij kujdes maksimal ndaj Besës, pasi e konsideron kundërshtare që po luan futboll të mirë.

Prishtina nesër takohet me Besën, rivalitet ky që e ka dominuar futbollin e Kosovës pas luftës. Megjithatë, Besa pas dy vitesh mungesë në Superligë, po luan kryesisht me përbërje të re. Por, kjo aspak nuk e ka zbehur rivalitetin dhe Prishtina udhëton tek skuadra pejane me respektin maksimal.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Fadil Vokrri”, Prishtina e pati fituar 4:0, njëherësh kjo ishte humbja më e thellë e Besës në kampionat, ndërsa fitorja më e thellë e Prishtinës në këtë edicion.

“Besa e këtij edicioni edhe pse po luan me përbërje me djem të ri, po paraqiten mjaft mirë dhe pothuajse çdo skuadre i kanë shënuar gol, pra ne duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm për të vazhduar me serinë pozitive të fitoreve që e kemi. Duam t’i marrim ndeshjet me radhë një pas një e që të afrohemi sa më shumë kreut të klasifikimit drejt qëllimit që kemi”, ka thënë Maliqi.

Ai tutje ka thënë se është i gatshëm që të ndihmojë skuadrën kurdo që e kërkon trajneri.

“Normalisht ekipi ka filluar të fitojë, kurse sa i përket meje unë jam i gatshëm në çdo moment të ndihmoj skuadrën sa herë që trajneri të më jep rastin apo të kërkoj nga unë që të jap kontributin tim. Për momentin jam mirë, si fizikisht si në të gjitha aspektet dhe në çdo moment jam i gatshëm të jap maksimumin në fushë”, ka thënë Maliqi për faqen zyrtare të klubit.

Besa renditet e fundit, e 10-ta në klasifikim me gjashtë pikë të tubuara, apo vetëm një fitore e tre barazime. Ndërsa Prishtina e 4-ta me 21 pikë të tubuara dhe ndeshja e nesërme me fitoren eventuale do t’i shtoj skuadrës katër fitore nga pesë takimet e fundit ku e ka arritur edhe një barazim me Dritën në Gjilan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla mori…