Hapen qendrat e votimit në Podujevë e Mitrovicë e Veriut
Sot, qytetarët e dy komunave të Kosovës, Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut zgjedhin kryetarët e rinj.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit në të dyja komunat janë hapur me kohë.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, të drejtë vote kanë 87 mijë e 381 votues, të cilët do të mund të votojnë në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime.
Në garë për të parin e Podujevës, për një mandat njëvjeçar, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.
Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.
Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.
Në këtë komunë do të jetë të hapura shtatë qendra të votimit me 27 vendvotime, derisa të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë.
Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.