Gjilani do ta ndihmojë Bashkinë e Lezhës për sanimin e pasojave nga tërmeti

07 dhjetor 2020 | 14:18

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri bashkë me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka pritur të hënën në takim pune ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Faleminderit ambasadorit Minxhozi që përveç mbështetjes dhe interesimit të vazhdueshëm, Gjilanit po i sjell edhe miqësi e bashkëpunim me të gjitha potencialet që i ka. Sot do të vizitojmë ekonominë gjilanase, prodhimin dhe biznesi privat. Për sanimin e pasojave të tërmetit, i konfirmova se Komuna e Gjilanit ka zgjedhur ta mbështesë Bashkinë e Lezhës”, ka bërë me dije Haziri pas takimit.

Ai ka apeluar të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë deklaruar mbështetje në mbrëmjen humanitare që t’iu përmbahen premtimeve dhe mjetet t’i derdhin ato në llogaritë zyrtare.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe për projektin e përbashkët humanitar me rotarianët e Gjilanit për mbështetje për rikonstruktimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Lezhë.

“Faleminderit nga zemra për këtë pritje shumë të ngrohtë dhe vëllazërore. Unë dëgjova me kujdes për punën që ka bërë Komiteti, një organizim i madh dhe shembullor. Më bëri përshtypje që Gjilani ka qenë qendër për menaxhimin pandemisë edhe për qytetarët e Luginës. Kjo tregon se sa të bashkuar jemi ne edhe në raste të emergjencave. Kjo duhet të merret shembull edhe nga komunat tjera”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anthony Joshua më 12 dhjetor do të luftojë për të…