Nënkryetari i AAK-së: Sipas të gjitha formulave politike, presidenti duhet t’i takojë AAK-së
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Xhafer Gashi, ka thënë se kandidati i kësaj partie për president, Ramush Haradinaj është më i duhuri për këtë post, duke marrë për bazë periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova.
Gashi ditë më parë për “Epokën e re” ka theksuar se posti i presidentit duhet t’i takojë AAK-së.
“Edhe në deklarimet e mia të mëhershme kam theksuar se, sipas të gjitha formulave politike dhe koalicioneve, presidenti duhet t’i takojë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidatit të saj për president, z. Ramush Haradinaj. Duke pasur parasysh periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova, jam shumë i bindur se kandidati i AAK-së për president, në këtë rast z. Ramush Haradinaj, është një njeri i unitetit i cili edhe në kohët më të vështira për vendin, por edhe në kohën e paqes ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se situata nëpër të cilën po kalon vendi ynë kërkon unitet politik mes partive. “Prandaj unë shpresoj se partitë politike duhet të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar nënkryetari i AAK-së.



