Bordi i Postës harmonizon pagat sipas gradave nga 8 deri në 17
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka aprovuar planin e biznesit për vitin 2021-2023.
Posta e Kosovës me anë të një komunikate për medie ka bërë me dije se për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe pamundësisë së arkëtimit në biznes planin e aprovuar të mërkurën nga Bordi, janë harmonizuar pagat e gradave nga 17 deri në 8, ndërsa shpenzimet e stafit janë reduktuar nga 6 për qind deri në 30 për qind.
“Nga ky planifikim i reduktimit të shpenzimeve të stafit, Posta e Kosovës ka kursyer rreth 300 mijë euro vjetore. Bordi ka vlerësuar se kjo është një masë e domosdoshme por përkohshme deri në tejkalimin e situatës së pandemisë, ndërsa harmonizimi i gradave do të rishikohet kohë pas kohe, varësisht nga përmirësimi i gjendjes do të vlerësohen gradat e Menaxhmentit të Lartë dhe të Mesëm, duke pasur parasysh ngritjen e të hyrave dhe forcën e likuiditetit”, është thënë në komunikatën e Postës së Kosovës, të lëshuar nga kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës, Leonard Shabanaj.
Sipas kësaj komunikate, bordi i Përkohshëm i Drejtorëve ka kërkuar motivim shtesë nga menaxhmenti për të ngritur të hyrat dhe përmirësuar rezultatin financiar të Postës së Kosovës.



