Trajneri Bas, vetëm pas dy javësh largohet nga Peja

12 janar 2021 | 18:30

KB Peja të martën ka njoftuar se trajneri Semsettin Bas ka dhënë dorëheqje për shkak të arsyeve familjare, ndërsa po të njëjtën ditë në klubin pejan është rikthyer basketbollisti Leonard Mekaj. Gazeta ka mësuar se basketbollisti më i mirë vendor, Dardan Berisha, nuk do të largohet nga Peja të paktën deri në fund të këtij kampionati.

Zhvillime dramatike po ndodhin në klubin e basketbollit “Peja” në këtë fillim të vitit. Më 3 janar fillimisht skuadra pejane me shumë bujë e prezantoi trajnerin nga Turqia, Semsettin Bas. Ky i fundit e kishte drejtuar për katër vjet me radhë Bursasporin, duke e ngritur fillimisht në kategorinë superiore turke, pastaj edhe duke e dërguar në Final Four, raporton “Epoka e re”.

Pritjet për suksese dhe ngritje të nivelit të klubit ishin të mëdha, mirëpo trajneri turk u largua nga skuadra e Pejës vetëm pas dy javësh. Në njoftimin e lëshuar nga klubi verdhezi nuk u jepen shumë detaje lidhur me dorëheqjen e trajnerit turk, por kjo, sipas njoftimit, është bërë për arsyeje familjare. “Trajneri Bas me keqardhje ka informuar klubin për vendimin e tij për të mos vazhduar punën e nisur vetëm dy javë me herët. Arsyet janë familjare dhe private të trajnerit. Klubi është duke shikuar që ta zëvendësojë trajnerin Bas në ditët në vazhdim e deri atëherë Petrit Zeqiri rikthehet si ushtrues detyre”, thuhet në njoftimin e Pejës.

Klubi pejan që bën gara në elitën e basketbollit të Kosovës po ashtu ka njoftuar të martën se ka arritur marrëveshje për rikthimin në klub të basketbollistit Leonard Mekaj. Mekaj së fundi ishte pjesë e Golden Eagle Yllit. “Basketbollisti pejan Leonard Mekaj i është bashkuar ekipet në stërvitje dhe nga ndeshja e ardhshme është i gatshëm të paraqitet për klubin tonë”, thuhet në njoftimin e skuadrës verdhezi.

 

Javën e kaluar nga skuadra e Pejës është larguar edhe një nga basketbollistët më të mirë në basketbollin e Kosovës, Drilon Hajrizi, i cili ishte edhe kapiten i këtij klubi. Hajrizi ka vendosur që karrierën basketbollistike ta vazhdojë në klubin e Trepçës.

Ndërkohë është folur shumë se në këtë afat kalimtar do të largohet edhe basketbollisti kryesor Dardan Berisha, por gazeta mëson se edhe përkundër disa ofertave, ylli i basketbollit të Kosovës do të jetë pjesë e Pejës, të paktën deri në fund të këtij kampionati. Në ndeshjen e fundit në Superligë, Peja ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 83:67 dhe në këtë kampionat ky klub ka regjistruar nëntë fitore dhe pesë humbje. Peja zë vendin e tretë në Superligë me 23 pikë të grumbulluara.

(Veton ZYMBERI)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronari i kompanisë Space X dhe Tesla, Elon Musk, që…