KQZ-ja: 47 kandidatë të papërshtatshëm për deputetë

20 janar 2021 | 13:57

Nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Sipas tij, kjo është përgjigjja që KQZ-ja ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë me dije se ky institucion ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë konfirmimin për përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, bazuar në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, ka thënë Elezi.

Megjithatë, ai nuk i ka bërë me dije emrat e këtyre kandidatëve dhe as të subjekteve politike, të cilave ata u takojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar procesin…