Burri i Vjosa Osmanit shkel rregullat e MPJ-së, lobon për parti politike dhe ofendon mediat

03 shkurt 2021 | 21:15

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti, ishte shkarkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme sepse kishte ofenduar ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Një tjetër zyrtar i MPJ’së, Prindon Sadriu, vazhdimisht lobon për parti politike dhe ofendon mediat. Mirëpo, MPJ’ja ende nuk ka reaguar edhe pse Këto veprime të tij janë në kundërshtim me qarkoren e MPJ’së.

Disa vjet më parë, ish-ambasadori Xhafer Ahmeti, e kishte ofenduar Sali Berishën duke e quajtur “psikopat”. Minsitri i Jashtëm atoëkohë, Enver Hoxhaj, kishte marrë vendim për kthimin e menjëherëshëm të ambasadorit në Prishtinë.

Kjo për shkak se komentet e tij nuk korrespodojnë me rregullat diplomatike dhe sjelljet e një diplomati.

Mirëpo, një gjë e tillë ndodh vazhdimisht me një tjetër zyrtar të MPJ-së.

Burri i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani — Prindon Sadriu, vazhdimisht lobon në dobi të një partie politike dhe ofendon mediat.

Deri tash MPJ’ja nuk ka reaguar ndaj zyrtarit të vet, deklaratat e të cilit janë në kundërshtim me rregullat diplomatike.

Me këto veprime Sadriu e shkelë qarkoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme të siguruar nga Gazeta Express e cila rregullon përdorimin e mediumeve elektronike sociale nga pjesëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, saktësisht pikën 3 të kësaj qarkoreje e cila konstaton se çfarëdo lloj komunikimi përmes mediave sociale mund të ketë implikime negative dhe pasoja për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.

Kjo pasi siç thuhet në këtë pikë çfarëdo ‘postimi’ në mediat sociale mund të interpretohet si qëndrim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Komunikimi privat i punonjësve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës përmes platformave elektronike dhe mediumeve sociale, pa marrë parasysh se a bëhet në formë të shkruar me komunikim zëri, fotografive ose video incizimeve, mund të ketë implikime dhe pasoja negative për Shërbimin e Jashtëm dhe të dëmtojë interesat dhe reputacionin e Republikës së Kosovës. Çdo deklaratë, prononcim ose ‘postim’ në mediumet sociale të cilën e bën një pjesëtar i Shërbimit të Jashtëm ose person tjetër që kryen detyrë ose funksion për Shërbimin e Jashtëm, mund të interpretohet nga publiku si qëndrim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ose të paktën t’i atribuohet Ministrisë si i tillë. Nuk është me rëndësi se çfarë qëllimi ndjek punonjësi i Shërbimit të Jashtëm kur e bën një “postim”, por, se si interpretohet dhe perceptohet ky “postim nga publiku”. Kjo vlen edhe për të gjitha rastet kur ndonjë deklaratë, prononcim ose “postim” privat shënohet si “mendim personal”, por, ka të bëjë drejtpërdrejtë me çështje që janë në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Shërbimin e Jashtëm ose në përgjithësi me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 3 të kësaj qarkoreje.

Prindon Sadriu i cili vazhdon të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Shkup në profilin e tij zyrtar ka sulmuar “Gazetën Express” pas një raportimi rreth organizimit të ceremonisë ku është nënshkruar vendosja e raporteve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit, ceremoni kjo e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në krye me Meliza-Haradinaj Stubllën.

Vërejtje për përfshirje në procesin elektoral në Kosovë dhe për shkelje të urdhëresës së MPJD-së, Sadriut ia ka dhënë edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj.

Dedaj në një komunikim të siguruar nga “Front-Online” i ka thënë Sadriut se është i përfshirë plotësisht në procesin zgjedhor në Kosovë duke cenuar neutralitetin e stafit diplomatik për zgjedhjet që të do të mbahen më 14 shkurt.

“Në bazë të të dhënave dhe fakteve, ju z. Sadriu jeni të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces elektoral, duke cenuar paanësinë dhe neutralitetin e stafit diplomatik për zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës. Edhe ju si diplomat duhet ta respektoni paanësinë”, shkruan mes tjerash Dedaj në vërejtjen e tij.

Përveç kësaj, Ambasadori Dedaj kishte treguar se Prindon Sadriu nuk shkon fare në punë të premteve, siç ka thënë ai me “arsye të pabazuara”.

Gazeta Express ka kërkuar përgjigje edhe nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëse ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, Prindon Sadriut, do të merret ndonjë masë për shkeljen e qarkores së Ministrisë, megjithatë nga ky institucion sot gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarit të Degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Halitit, i…