Krasniqi: Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën
Publicisti dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes me Republikën e Kosovës.
Krasniqi ka thënë se fuqizimi i Listës Serbe në Kosovë, dhe frika që kanë shfaqur komunitet joserbe për tendencat e kësaj liste për të marrë 2/3 e votave të komuniteteve në Kuvend , është rezultat i politikës naive që kanë bërë partitë politike shqiptare.
“Kjo është një politikë naive, që kanë bë partitë tona shqiptare në vitet e kaluara, kur kanë qenë të fuqishëm këta politikanët lokal serbë që pranojnë institucionet e Kosovës, dhe nuk kanë punuar mjaftueshëm me ta, si pasojë e kësaj është rritur edhe ndikimi i Listës Serbe dhe tash ajo është listë që është komplet në kontrollin e Vuçiqit, dhe meqenëse është në kontrollin e Vuçiqit ata bëjnë politika vetëm me direktivat e Beogradit”, ka thënë Krasniqi për “EO”, duke shtuar se Serbia nuk e pranon Kosovën pa kompromise të rënda.
“Politikanët tonë gjithmonë kanë luajtur letrën e fundit që gjoja Serbia po donë marrëveshje dhe të ngutemi, unë mendoj që ngutia jonë duhet me qenë fuqizimi i shtetit të Kosovës, institucioneve tona, përmirësimi i pozitës tonë ndërkombëtare, ndërsa deri në vitin 2025 realisht nuk mund të pritet përveç nëse ndodh diçka e papritur ndonjë marrëveshje me Serbinë”.
“Serbia nuk e pranon Kosovën pa kompromise të rënda, Kosova nuk është e gatshme për kompromise të rënda, dhe për këtë arsye duhet të mësohemi të jetojmë me këtë konflikt që realisht është konflikt i hapur, menaxhohet nga bashkësia ndërkombëtare por nuk ka vullnet në Serbi së paku me Vuçiqin derisa është në krye të Serbisë për të arritur marrëveshje”,ka thënë Krasniqi.



