Kurti për fitoren e Markut: Suksesi juaj na gëzoi të gjithëve
Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar Florian Markun për triumfin e mbrëmshëm.
Florian Marku e mbylli me fitore meçin ndaj Rylan Charltonit, duke vazhduar kështu si i pamposhtur edhe më tej.
Boksieri shqiptar ka mposhtur boksierin nga Britania e Madhe në meçin e zhvilluar mbrëmë në ‘The SSE Arena’ në Wembley të Londrës.
28 vjeçari tani ka tetë fitore dhe një barazim nga nëntë ndeshje në boksin profesionist.
Fitorja për Markun erdhi në raundin e tetë, pasi trajneri i Charltonit hodhi peshqirin e bardhë në dysheme.
Për fitoren e tij ka shkruar edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili boksierit nga Lushnja i uroi edhe suksese tjera në karrierë.
“Florian Marku dje vazhdoi rekordin e tij pa humbje me një fitore të jashtëzakonshme. I përgatitur mirë, i vendosur dhe i disiplinuar. Suksesi i tij i mbrëmshëm na gëzoi të gjithëve. I uroj Florianit fitore të njëpasnjëshme dhe karrierë të gjatë e të suksesshme”, ka shkruar Kurti në ‘Instagram’.



