Mposhten Lakersat dhe Utah Jazz

04 mars 2021 | 14:06

Tjetër disfatë për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit në NBA. Është dashur koha shtesë për të vendosur supersfidën mes Philadelphia 76ers dhe Utah Jazz, e fituar nga të parët me rezultatin 131-123. Thuajse gjatë gjithë kohës së rregullt Jazz qëndruan në kryesim, madje shkuan edhe +13 pikë në periodën e dytë, por 76ers e ngushtuan diferencën duke e barazuar rezultatin në fund 118-118 falë një trepikëshi të Joel Embiid, protagonist absolut i sfidës me 40 pikë dhe plot 19 “rebound”.

Në kohën shtesë u shfaq i papërmbajtshëm Tobias Harris, që realizoi 11 nga 13 pikët e tij. Fitore bindëse në transfertë e Brooklyn Nets 114-132 përballë Houston Rockets. U rikthye në shtëpi, por këtë radhë si kundërshtar, James Harden, autor i një “triple-double”: 29 pikë, 14 asistime dhe 10 “rebound”. Në fakt, Rockets luajtën një periodë të parë me nivel, por më pas gjithçka foli për Nets, që krijuan shumë shpejt një diferencë të parikuperueshme pikësh për vendasit, që pësuan humbjen e 13-të radhazi. Dështuan në parketin e Sacramento Kings Los Angeles Lakers me rezultatin 123-120.

E kuptueshme kjo disfatë e skuadrës kaliforniane në një mbrëmje ku nuk ishin të pranishëm mbi parket LeBron James, Anthony Davis, Marc Gasol dhe Alex Caruso. Megjithatë Lakers kryesuan në pjesën e parë, por Kings e kthyen përballjen në limit në favorin e tyre, falë gjuajtjeve të sakta të lira të Harrison Barnes. Spikati në këtë takim Buddy Hield me 29 pikë. Sukses edhe për Detroit Pistons, që e patën të lehtë përballë Toronto Raptors, duke fituar me diferencë 129-105.

Skuadra kanadeze, në fakt, ishte e detyruar ta luante këtë sfidë pa gjysmën e organikës. Shënuesi më i mirë i Pistons rezultoi Wayne Ellington me 25 pikë. /SS/

Rezultatet

Philadelphia 76ers – Utah Jazz                             131-123
Houston Rockets – Brooklyn Nets                        114-132
Orlando Magic – Atlanta Hawks                           112-115
Sacramento Kings – Los Angeles Lakers              123-120
Portland Trail Blazers – Golden State Warriors  108-106
Toronto Raptors – Detroit Pistons                         105-129
Dallas Mavericks – Oklahoma City Thunder        87-78
New Orleans Pelicans – Chicago Bulls                   124-128
Minnesota Timberwolves – Charlotte Hornets     102-135
Cleveland Cavaliers – Indiana Pacers                     111-114

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arilena Ara është një nga këngëtaret më të dashura për…