Kurti: Infermierët pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë

12 maj 2021 | 12:38

Në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën e këtyre punëtorëve shëndetësore.

Ai ka thënë se prej muajit mars të vitit të kaluar ata kanë qenë në front të përballjes me pandeminë Covid-19, duke mos pushuar asnjë ditë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se edhe në fazën e vaksinimit infermierët po luajnë një rol kyç.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX.

Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë. Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç. Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 350 minatorë të Stantërgut të mërkurën nuk…