Kërkohet të punohet edhe në rrafshin ndërkombëtar për ta paditur Serbinë

12 maj 2021 | 12:52

Republika e Kosovës ka filluar përgatitjet për ta paditur Serbinë për gjenocid gjatë luftës në Kosovë. Njohësit e çështjeve juridike kanë ftuar qeverinë që të punojë ngadalë dhe fort për këtë padi. Sipas tyre, përveç mbledhjes së provave, qeveria duhet të punojë edhe në rrafshin ndërkombëtar për ta paditur Serbinë për gjenocid. Ata kanë thënë se hedhja poshtë e kësaj padie nga GjND-ja do të sillte pasoja për Kosovën

Muhamet KOCI

Qeveria e Kosovës e ka përfshirë në program qeverisës përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike kanë këshilluar qeverinë se çfarë duhet të ndërmarrë në këtë drejtim. Sipas tyre, për një gjë të tillë duhet të punohet fort në planin e brendshëm për të mbledhur prova dhe në atë jashtëm për të marrë përkrahje ndërkombëtare.

Në ditën që qeveria e ka miratuar planin qeverisës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës. “Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit te ne dhe kjo e meriton një padi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, ka thënë Kurti. Ai ka thënë se përgatitjet për padi janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet.

Edhe ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, aktualisht udhëheqës i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti, ka thënë se nuk është vonë për ta paditur Serbinë për gjenocid. Ai ka porositur spektrin politik që të flasin me një gjuhë lidhur me këtë çështje. “Jo. Nuk jemi vonuar për të bërë padinë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Përkundrazi, në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë, çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë. Të mos harrojmë se edhe në mesin tonë nuk ka konsensus rreth kualifikimit të asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Njëri godet thumbin e tjetri patkoin. Me keqardhje duhet të pranojmë se një numër i konsiderueshëm i politikanëve dhe gazetarëve që kanë një rol të madh në krijimin e opinionit publik nuk e kanë të harmonizuar terminologjinë që përdorin kur bëhet fjalë për krimet serbe në Kosovë”, ka deklaruar Mahmuti për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se duhet të punohet për përgatitjen e padisë, por tani nuk është koha e duhur që Kosova ta paditë Serbinë. Sipas tij, në rrafshin ndërkombëtar gjendja është tejet e pafavorshme për ta bërë një gjë të tillë. “Me keqardhje duhet të pranojmë se një numër i konsiderueshëm i politikanëve dhe gazetarëve që kanë një rol të madh për krijimin e opinionit publik nuk e kanë të harmonizuar terminologjinë që përdorin kur bëhet fjalë për krimet serbe në Kosovë. Në rrafshin ndërkombëtar gjendja është tejet e pafavorshme për ne. Në vend se të ndëshkohet Serbia për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, sot kemi krijimin e një gjykate që do t’i trajtojë sajesat e Shërbimit Sekret Serb kundër UÇK-së. Ai i cili do të kishte ngritur padi kundër Serbisë në këtë kontekst ndërkombëtar do t’i kishte bërë shërbim të madh Serbisë, sepse vendimi do të kishte qenë i disfavorshëm për ne”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se për ta paditur Serbinë për gjenocid qeveria duhet të punojë fort edhe në planin ndërkombëtar. “Për t’i rritur gjasat e realizimit të ngadhënjimit të drejtësisë duhet të punojmë shumë si në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë të brendshëm. Në të kundërtën do të korrim rezultate negative. Me një fjalë, ai i cili do të shpejtonte të ngrihej akuza për gjenocid kundër Serbisë, në këtë kontekst të raportit të forcave në skenën politike ndërkombëtare, do të bënte një veprim antikombëtar”, ka deklaruar ai.

Më herët, edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka kritikuar institucionet e Kosovës që kanë bërë fare pak për argumentimin e gjenocidit serb në Kosovë. Ai pati thënë për gazetën “Epoka e re” se në mungesë të punës të institucioneve në këtë drejtim, sot Kosova nuk ka prova të mbledhura për ta paditur Serbinë në ndonjë gjykatë ndërkombëtare për gjenocid. “Marrë në përgjithësi, të gjitha qeveritë e deritanishme, në aspektin institucional, shumë pak ose fare nuk e kanë bërë punën që është dashur ta bëjnë për mbledhjen e provave për krimet e luftës, sidomos ato për gjenocidin serb në Kosovë”, ka thënë Salihu.

Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës menjëherë pas luftës është dashur ta themelojnë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Institucionet e Kosovës është dashur që menjëherë pas luftës, në vjeshtën e vitit 1999 apo në vitin 2000, të formojnë organ në nivel shtetëror, i cili do të emërohej Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ose Departament për Krime të Luftës. Në këtë institut do të duhej të punësoheshin njerëz profesionalë, që kanë përkushtim, ideal dhe bashkëndiejnë dhimbje me viktimat e luftës”, është shprehur Salihu, duke treguar se në çfarë kushte do të duhej të punonte ky institut. “Këtij instituti është dashur t’i krijohen kushtet optimale me ndërtesa, me infrastrukturë, me buxhet, në mënyrë që brenda 10 vjetëve, pra deri në vitin 2010, të ishin të evidentuar të gjitha krimet e luftës, e sidomos krimet e gjenocidit serb në Kosovë. Sepse në Kosovë është bërë gjenocid. Pra, gjenocidi është krimi më i rëndë në mesin e krimeve apo veprimeve penale ndërkombëtare, që është paraparë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Parandalim dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit në vitin 19948”, ka thënë ai.

Kosova e cilëson gjenocid fushatën e forcave serbe të sigurisë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13 500 persona.

Në vitin 1999 Kroacia kishte ngritur padi ndaj Serbisë në GjND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995. Në vitin 2010 Serbia kishte paraqitur një kundër-padi ndaj Kroacisë, duke thënë se rreth 200 mijë serbë etnikë janë zhvendosur, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të pretenduara prej saj. E në vitin 2015 GjND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra-tjetrës. Ndërkaq, sa i përket rastit të Bosnjës e Hercegovinës, përkatësisht rasti Srebrenica, në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 000 myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid, por kjo gjykatë u shpreh se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin por, gjithashtu tha ai, se edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar…