Haxhiu takon përfaqësuesit e Ambasadës gjermane dhe GIZ-it, diskutohet për reformën në gjyqësor
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar sot sekretaren e parë të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Vera Baumann, si dhe Rrona Berisha, këshilltare ligjore e angazhuar nga GIZ.
Gjatë takimit, ministrja Haxhiu ka prezantuar prioritetet e Ministrisë, duke theksuar këtu reformën e domosdoshme në gjyqësor, nisur nga Rishikimi Funksional, vettingu e deri te çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu, ministrja Haxhiu iu referua edhe nevojës për fuqizimin e mekanizmave për luftimin e dhunës në familje dhe plotësim/ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Juridike Falas, në dritë krijimit të mekanizmave shtesë të mbrojtjes në rastet e dhunës në familje.
Lidhur me këtë të fundit, Berisha e informoi ministren Haxhiu mbi aktivitetet me të cilat GIZ mund të mbështesë Ministrinë, nisur nga qasja në drejtësi për qytetarët përmes qasjes më të lehtë ndaj Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e cila konsiston në krijimin e zyrave rajonale shtesë, si dhe fuqizimit të data bazës së Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.
Për më tepër, Baumann i ofroi mbështetje ministres Haxhiu në ngritjen e kapaciteteve në dritë të konfiskimit civil, proces ky që udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht zhvillohet nga grupi punues për hartimin e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë.
Ministrja Haxhiu ka shprehur falënderim të veçantë ndaj ndihmës së këtillë dhe shprehu përkushtim në fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës gjermane e agjencive të financuara nga Republika Federale e Gjermanisë, në arritjen e prioriteteve të Qeverisë, përmes iniciativave të përbashkëta.


