Jeta shoqërore, dëshirat letrare, korrupsioni letrar

18 korrik 2021 | 15:27

NORMAN MAILER

 

Një nga shprehjet më mizore në gjuhë është: Ata që munden bëjnë, ata që s’munden mësojnë. Paralelja e kësaj mund të jetë: Ata që përfitojnë përvojë mësohen të jetojnë, përderisa ata që nuk munden bëhen shkrimtarë.

Shprehja e dytë ka shumë më shumë të vërteta sesa e para, që i bie se ka disa të vërteta aty. Natyrisht, shumë shkrimtarë të rinj e vënë veten në rrezik të madh për të përfituar të gjitha veset e një shkrimtari të mirë. Përderisa për të qenë më të vyer, veç sa për kurajën tuaj, asnjëri prej këtyre profesioneve nuk përbën një shkrimtar të suksesshëm: CEO, politikan, inxhinier, zyrtar sindikate, kirurg, pilot aeroplani, lojtar i mirë i shahut, prostitutë, kapiten anije, mësues, burokrat, mafioz, pimp, recidivist, mjek, rabin, aktor filmi, prift ose edhe murgeshë – asnjëri prej tyre nga këto profesione nuk ka nxjerrë një novelist të mirë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Po çfarë t’u bëjmë shkrimtarëve fantazmë, kolaboracionistëve, ose redaktorëve me gjuhë të stërzgjatur të cilët ende shkruajnë kujtimet e tyre në kaseta incizuese e që për nga natyra e thellë e të kuptuarit të letërsisë krijojnë masë të madhe pune me mund të madh – shumë prej pasqyrimeve të tilla sociale na vijnë në kujtesë nëpërmjet fotografive, imazheve të fantazmave, dukurive të tejdukshme që në rrethana normale na dalin më shumë të jenë vepra letrare, novela të shkruara nga përfaqësues sindikatash. Shumë e thjeshtë është kjo punë. Shkrimtarët rrinë vetëm me shkrimtarë, sikurse inxhinierët që kongregojnë në të njëjtat klube fshatrash në rrethinat e Detroitit.

Paragjykimet mbi Detroitin vijnë e përforcohen më shumë dita-ditës nëse e marrim parasysh historinë pesëdhjetëvjeçare të aftësisë së akumuluar të këtij qyteti dhe punëtorëve të saj, të cilat në kushte të ndryshme arritën të prodhojnë vetura të kualitetit të dyshimtë. I njëjtë është edhe fenomeni i letërsisë dhe vuajtjet që ka pësuar nga kjo endemi e pafund. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për sensitivitet ndaj atyre që janë sensitivë, por totalisht jemi injorantë për ata të fuqishmit dhe budallenjtë. Mbase njëri mund të jetë fatal nëse arrijmë që ta zhveshim atë nga ndërmarrësit e jetës korporatiste, menaxhimi financiar si, për shembull, mafia dhe klasa punëtore që janë pjesë e lidershipit. Disa nga gazetarët hulumtues na kanë dërguar neve në belin e krejt kësaj makinerie të ndytë por, mbase, edhe jo mjaftueshëm. Ne ende nuk i kuptojmë se si operojnë ata që janë brenda sistemit. Për shembull, ne ende nuk kemi kuptuar se në çfarë forme emocionale ndihet një ditë mëngjesi një nga lojtarët mbrojtës të futbollit. Shumica prej këtyre lloj hulumtimeve gazetareske bëhen me qëllime ideologjike, për t’i kënaqur bazat e tyre ideologjike, racionalen, ironiken, median liberale të orientuar te gjetja e fakteve. Pra, ne kemi një kulturë elementare të çrregulluar; atë të mungesës së informacionit të bollshëm për të cilat kemi nevojë në mënyrë që ta formojmë mendimin tonë përreth këtyre proble­meve. Pa marrë parasysh sa lexojmë, ne ende nuk dimë se si funksionon bota. Njerëzit që punojnë në këtë drejtim, ata kurrë nuk shkruajnë për këto gjëra, për të na njoftuar a edukuar. Përderisa shkrimtarët që merren me këtë punë gjithmonë përfundojnë duke shkruar të verbuar për njerëzit që nuk shkruajnë, por që e dinë se si funksionon bota. Për shembull, ne nuk do të kishim pasur problem që ta konsul­tojmë një të shenjtë që të na mësojë më shumë në lidhje me shkencën kompjuterike, por kurrë ta bëjmë atë mbrapsht. Shumë nga të shenjtit, bishat, manjakët, mistikët dhe yjet e rokut – shkruhet për ta këto ditë, kryesisht nga gazetarët vizioni i të cilëve është i përshkuar nga parametrat e brendshëm të shartuar. Paaftësia jonë që ta kuptojmë botën tonë përreth do të vazhdojë edhe më tej.

Duke qenë se jam novelist, unë dua të di çdo fjalë. Nuk jam shumë kajdexhi kur vjen puna te akumulimi i dijeve. Unë dua të di e të kuptoj nga të gjitha disiplinat dhe vetëm në rastet kur mendoj se temat janë të padurueshme atëherë unë nuk humbi shumë kohë me to. Përderisa kurrë s’e përjashtoj mundësinë e vetëkorruptimit të pafajshëm kur njeriu has në informacione dhe dije të ndryshme, prapëseprapë mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se si funksionon kjo botë. Problemi me shumë shkrimtarë të rinj është se ata nuk kanë përvojë të mjaftueshme jetësore. Për këtë arsye ata në mënyrë tendencioze zhvillojnë vese paranojake. Këto vese kurrë nuk mund ta zëvendësojnë realen, të vërtetën, përvojën dhe jetën e vërtetë. (Kështu pat konkluduar edhe Franz Kafka në veprat e veta). Për shembull, sa shumë pjesë të historisë sonë, asaj që na rrethon, është konspiracion; sa shumë prej kësaj historie është një pështjellim i pafund? Në mënyrë që ta kuptosh këtë, duhet të dish më mirë edhe më shumë për botën që na rrethon.

Kurrë nuk ua kisha rekomanduar shkrimtarëve të rinj që të jetojnë në platetë e klasës së lartë dhe aristokratike, ato të establishmentit, sepse këto klasa mbytin krijimtarinë e shkrim­tarit për arsye të normave dhe rregullave që ato i përcaktojnë vetes. Ekziston një refleksivitet i thellë në klasat e tilla. Ajo përshkruhet kështu: Nëse je njëri nga ne, atëherë nuk je gjë tjetër përpos një njeri i mërzitshëm (ose nëse ke shumë para dhe familje të pastër të pakorruptuar, atëherë gjërat janë ndryshe). Nëse je pakëz më i rebeluar, atëherë ajo botë do të dojë sepse e di shumë mirë se, në fund të fundit, ti do të jesh i mërzitshëm për rrethin. Dhe kështu ti përfundon jashtë kësaj klase. Por, megjithatë, edhe po qe se je një rebel i tillë, ata do të shtyjnë ti respektosh rregullat e tyre, sepse ata e duan dëfrimin dhe iu duhesh atëherë kur u nevojitesh. Nëse vazhdon t’i pranosh dhe t’i përqafosh këto rregulla, atëherë ti do ta dëmtosh veten. Capote ishte një njeri i tillë. Ai i ndoqi rregullat e tyre deri kur u mërzit, pastaj i braktisi ata dhe ata e braktisën dhe ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi me të. Kosinski, edhe ky i njëjti, me të njëjtën veprim, u bë pjesë e tyre, por në fund u mërzit dhe ata e përzunë dhe ky vrau veten.

Më kujtohet shumë mirë kur kisha thënë në vitin 1958 se: “Unë jam i pridestinuar të krijoj një revolucion të vetëdijes kombëtare. Asgjë më shumë e asgjë më pak”. Kam dështuar në atë mision. A po? Në atë kohë unë kisha menduar se unë i kisha librat që shumë pak njerëz i kishin. Po ashtu, kur kisha nevojën të dija edhe më shumë, unë shkruaja libra që në moshë të re, dhe besoja se shoqëria do të ndryshohet. Çfarë iluzioni i tmerrshëm. Tashti gjërat për të cilat kisha luftuar me vite e dekada kanë humbur vlerën e tyre. Merre për shembull letërsinë – që nga pjesa e dytë e shekullit të kaluar – është mposhtur krejt. E di që është diçka e tmerrshme për atë që them, por mos harroni që ta kuptoni rëndësinë e letërsisë, lexoni më shumë nga pjesa e dytë e shekullit XIX. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, unë besoj se brenda njëqind vjetëve të ardhshëm novela do ta humbë rëndësinë e vet sikurse që dramat pesëstrofëshe të Ibsenit kanë humbur rëndësinë e tyre sot. Novelat do të bëhen vetëm kuriozitete të çastit dhe shkrimi do të lë shumë për të dëshiruar. Për shembull, ku do të ishte Anglia sot pa Shekspirin ose Irlanda pa Xhejms Xhojsin ose Jetsin? Nëse sot më pyet se kush e mban titullarin e barabartë të këtyre më lart sot në Amerikë, unë them që është Madona. Disa vjet më herët të gjitha vajzat e reja të vendit një gjë vetëm donin – Madonën. Ajo ishte shndërruar në modele të kombit. Madona ka bërë më shumë për feminizmin sesa të gjitha lëvizjet sociale feministe në botë.

Nganjëherë novelat shkruhen sepse disa elemente të saj paraqiten para syve si shumë të thella. Ato të prekin dhe të stimulojnë të shkruash. Pra kjo është pjesë burimore, senti­mentale e krijimtarisë. Herëve të tjera shkrimtari shkruan libra sepse ekonomia personale ia imponon sepse, në fund të fundit, të gjithë duam të ushqehemi. Burrat e fortë nuk vallëzojnë është një nga këto novela që, pasi kisha përfunduar Mbrëmjet antike, isha i stërlodhur dhe nuk shkrova për dhjetë muaj. Në atë kohë sapo kisha prishur marrëdhëniet e mia me botuesin tim Little & Brown pasi që ishte shumë jomirënjohës për të gjitha ato njëmbëdhjetë vjet që kisha kaluar derisa e kisha përfunduar librin e fundit. U ndava me të. U çlirova. Por, megjithatë, unë i kisha borxh edhe një libër para përfundimit të kontratës. Ai filloi të më bëjë shumë presion derisa erdhëm në atë gjendje saqë më dha ultimatum – ose të shkruaja edhe një libër, ose unë do të duhej t’ia ktheja të gjitha paratë, rrogën e përmuajshme që ma paguante sipas kontratës. Problemi me këtë ultimatum ishte se unë isha zënë ngushtë. Po qe se e prishja kontratën dhe t’i ripaguaja, unë kurrë nuk kisha pas shans të paguaja atë borxh dhe do t’i mbetesha edhe më keq – shtetit, zyrës së taksave do t’i kisha mbetur edhe më shumë borxh. Kështu që vendosa që të shkruaj shpejt. Fillova të lexoj edhe libra të tjerë jo të mirëfilltë si, për shembull, librat e J. Vernes, Një dramë amerikane, G. K. Chesterton, Njeriu që quhej e enjte etj. Fillova të mendoj më seriozisht se çfarë novele të shkruaj. Të shkruaj diçka për Nju-Jorkun, ishte problem sepse unë nuk jetoja në NY. Duhej të isha aty që të shkruaja një tregim të mirë. Mbi të gjitha, unë i kisha veç dy muaj për ta përfunduar librin. Fillova të lutem shumë por, jo të shkruaj. Dikur, duke e lexuar G. K. Chesterton, m’u mbush mendja për stilin e të shkruarit dhe për zhanrin. Njëfarë kombinimi i fiksionit dhe horrorit e krimit. Më erdhi në mendje Burrat e fortë nuk vallëzojnë. Arrita ta përfundoj brenda gjashtëdhjetë ditëve. Stili nuk ishte edhe aq i mirë por, bënte. Ploti i novelës është pakëz si budalla dhe nuk duhet të merret seriozisht. Ironia e gjithë kësaj ishte se Little & Brown nuk ma pranoi botimin. Unë e botova te Random House sepse deshi fati që më bleu nga Little & Brown dhe m’i pagoi edhe borxhet që i kisha ndaj tij. Prej atëherë unë ende jam me botuesin tim Random House.

Besoj se tashmë jeni të gatshëm të dëgjoni më shumë në lidhje me peripecitë që shkrimtari vuan çdo ditë për të krijuar.

 

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. © “Armagedoni”. Përktheu: Emanuel Bajra)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Kur shteti nuk qeveriset nga vullneti popullor…