Zyrtarët iranianë bëjnë thirrje për zhbllokimin e ‘Twitter’-it

22 maj 2018 | 15:10

Gjashtë ministra iranianë dhe dy ligjvënës, që të gjithë anëtarë të Komitetit shtetëror, përgjegjës për bllokimin e faqeve të internetit, i dërguan letër të hapur prokurorit të Iranit, duke i bërë thirrje për zhbllokimin e rrjetit social “Twitter”-it.

Letra është shkruar në përgjigje të “rritjes së kërkesave të publikut për të lejuar aktivitetet e të rinjve dhe medieve në këtë rrjet social”, ka njoftuar uebfaqja e Qeverisë, “Dolat.ir”.

Kjo letër është nënshkruar nga ministri i Komunikimeve, Mohammad Javad Azari Jahromi, ai i Arsimit, Mohammad Bathaee, ministri i Inteligjencës, Mahmud Alavi, ai i Drejtësisë, Alireza Avayi, ministri i Shkencës, Mansur Gholami, dhe ministri i Kulturës, Abbas Salehi, si dhe ligjvënësit Ramezanali Sobhanifar dhe Mohammad Kazemi.

Pavarësisht bllokadës, shumë zyrtarë iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe ministrin e Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, e përdorin “Twitter”-in për të arritur te mbështetësit dhe për të shpërndarë mesazhet e tyre.

Shumë iranianë po ashtu e përdorin “Twitter”-in për të shpërndarë lajme dhe informacione, si dhe për t’u shprehur vetë.

Irani, së voni, ka bllokuar edhe aplikacionin e mesazheve “Telegram”, i cili besohet se është përdorur nga gjysma e popullsisë.

Megjithatë, shumë iranianë vazhdojnë të kenë qasje në të përmes mjeteve anti-bllokadë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar të martën rezultatet…