“Populli më pro-amerikan në botë” me lidership me kurs anti-amerikan

21 dhjetor 2021 | 16:08

Shkruan: Hajdin Abazi

Në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden e të mbajtur më 9-10 dhjetor 2021, Presidentja e përmbylli fjalën e saj duke thënë se shqiptarët e Kosovës janë “populli më pro-amerikan në botë”. Këtë e lexova si metaforë, me të cilën proklamohej para tërë botës se Kosova e riktheu kursin e partneritetit me SHBA i cili është jetik për Kosovën.

Rrjedhim i tërthortë logjik ishte, ndër të tjera, se Presidentja e Kosovës e paska reviduar qëndrimin e saj kundër Marrëveshja e Washington të 4 shtator 2020, të cilin e shprehu edhe në John Hopkins në SHBA, se mbase e ka kuptuar se Marrëveshjet në Zyrën Ovale nuk janë hajgare, por përgatiten për një kohë të gjatë dhe, me fuqi ligjore për zbatim, futen në kornizat e politikës së State Deprtamentit. Për më tepër, kur po në Samitin për Demokraci ajo në prioritetin e parë të Kosovës theksoi forcimin e sundimit të ligjit, sikur u plotësua mozaiku.

Në këtë vazhdë, ishte e pritshme që Presidentja, në fjalimin vjetor që ia garanton Kushtetuta ta mbajë në Kuvendin e Republikës, ta proklamonte rikthimin e politikës kosovare në kursin e partneritetit bashkërendues me SHBA. Ajo në njërën anë tha se “Kosova është projekt amerikan”, e në anën tjetër atakoi tërthorazi Mrrëveshjen e Washingtonit, duke rënë në një kontradiktë që lexohet qartë. Në fakt, ajo kritikoi ish-KM A. Hoti se “Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme.”

Se përse ajo e bëri këtë kumt të kobshëm mbetet për t’u parë. Se nuk është lapsus, kjo është e sigurt pasi që është koherente me linjen e kundërshtimit të Marrëveshjes së Washingtonit që ia ka bërë në parë. Ai postulim i saj është i qëllimshëm. Mundet të jetë nxitur nga urrejtja ndaj LDK dhe lidershipit të saj të atëhershëm. Apo nga xhelozia se KM Hoti jo vetëm u prit në Zyrën Ovale nga Presidenti Donald Trump por edhe pranoi njohjen nga Izraeli para kamerave televizive me pamjet tepër miqësore që u transmetuan në tërë globin, kurse Presidentja nuk është takuar ende (dhe kjo flet po ashtu mjaft) me presidentin amerikan Joe Biden ndokund e lëre më në Shtëpimë e Bardhë; apo për të parashtruar premisat për një gjoja kauzë kundër KM Hoti e lidershipit të atëhershëm të LDK edhe si hakmarrje për përjashtimin e saj nga LDK e mbase edhe për ta bërë çështje penale si pretekst për ngritje padish për “cenim të rendit kushtetues”. Athua, deri këtu do të degradojë egoja revanshiste, tashmë duke e përdorë pushtetin! Kujdes: kjo do të kishte ngjyrim anti-maerikan! Mundet t’i jetë bërë presion nga KM Kurti për të ripohuar kursin e LVV të ftohjes së raporteve me SHBA, ashtu që ato të harmonizohen qëndrimet antiamerikane si dëmshpërblim për mosangazhimin e një subjekti të improvizuar  të quajtur “Lista Guxo” në zgjedhjet lokale. Ose, thjesht duke menduar se etiketimi i saj i një pjese të Marrëveshjes së Washingtonit i jep legjitimitet akuzës së saj.

Këto ose cilatdoqofshin arsyet se përse Presidentja e riktheu kursin e ftohjes e të largimit nga SHBA, janë të gabuara. Me Washingtonin nuk guxohet të tallet e para e Kosovês, së pari sepse nuk është ky vullneti i popullit që ajo duhet ta përfaqësojë dhe se ajo nuk ka të drejtë ta tjetërsojë vullnetin e popullit “më pro-amerikan në botë”; së dyti sepse është interes jetik gjeopolitik i Kosovës partneriteti bashkërendues me SHBA në një botë ku Kosova pa mbështetjen amerikane nuk do të ishte këtu ku është.

Krahas kësaj, Presidentja nxjerrë në pah sjelljen e saj  autokratike, ashtu sikurse kishte bërë më pare ndaj Bashkimit Europian. Qëndrimi i saj duhet të jetë përcaktues nëse diçka është legjitime apo jo, nëse është shkelje e Kushtetutës apo jo. Si juriste, ajo do të duhej ta dinte se ligjshmëria nuk është sipas shijes së lidershipit, por sipas sanksioneve juridike të cilat janë apersonale. Nuk është perceptimi hakmarrës i së parës së vendit ajo që mundet t’ia ndryshojë karakterin ndërkombëtar të Marrëveshjes së Washingtonit. Është e kundërta, prej saj do të duhej ajo të reflektonte e ta shihte atë me dioptrinë e ligjshmërisë. Nuk mundet edhe të flasësh për ligjshmëri, edhe t’i trajtosh në mënyrë selektive sipas shijes sate Marrëveshjen në fjalë. Mjerisht, Presidentja e Kosovës e bëri këtë, duke e bërë aparente thelbin e perceptimit të saj autoritar të ligjshmërisë. Një qëndrim mohues i Marrëveshjes së Washingtonit më së shumti i konvenon Serbisë dhe interesave ruse në Ballkan e në asnjë kontekst nuk është në dëm të Kosovës.

Pika e Marrëveshjes të cilën e atakoi e para e vendit, atë për moratorium të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ishte një qëndrim strategjik amerikan. Se në c’kuptim ishte strategjike? Një insert nga lobimi në vitin 2019: kur Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL, në Asamblenë e 88-të e cila u mbajt në Santiago (Kili), në kuadër të lobimeve në shtetet që i mbulonte Ambasada jonë, realizova një takim me ambasadorin amerikan në Ambasadën e SHBA-ve në Kanberë, për t’u konsultuar dhe për të kërkuar supportim për regjioni. Pyetjet sugjestive: sa shtete ju kanë siguruar se do të ju votojnë, sa prej tyre do të jenë pjesëmarrës për votim? Nga prizma amerikane shihej si e pamundur votimi pro anëtarësimit të Kosovës, kjo kryesisht për shkak të zhvillimeve të reja në botë. Sugjerimi: nëse nuk jeni të sigurtë, tërhiquni, nuk është mirë të pësoni disfata sepse ato regjistrohen dhe janë në dëm tuajin dhe mund të përdoren kundër jush (nuk u tha, por nënkuptohej nga kush). Këto sugjerime dolën të sakta: nuk ishte arritur të siguroheshin votat e nevojshme dhe Kosova e tërhoqi në çastet e fundit aplikimin. Mossuksesi i vazhdueshëm në përpjekjet për t’u anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtaredo krijonin perceptimin e  dështimit për Kosovën, në kuptimin e refuzimit dhe mospranimit të saj si shtet, gjë që kjo, po, do të ishtë në dëm real së Kosovës, sepse do të damkosej si paaftësi për t’u konsoliduar në mënyrë të pranueshme ndërkombëtarisht dhe do t’i krijonte klimë të favorshme Serbisë në përpjekjet e saja për lobuar kundër dhe për të penguar Kosovën. Strategjia e Marrëveshjes së Washingtonit ishte pikërisht të shmangte Kosovën nga një veprim dështak për shkak të zhvillimeve të pafavorshme në konstelacionet ndërkombëtare.

Por Marrëveshja e Washingtonit nuk e ndalonte në asnjë kontekst lobimin e Kosovës për njohje, respektivisht për tërheqjen e tërheqjeve apo rikthimin e njohjeve. Në këtë rrafsh, e para e Kosovës me vendimin skandaloz të dekretimit të shkarkimit tim prej detyrës së ambasadorit në Australi, pa asnjë analizë të proceseve në të cilat isha fuqishëm i involvuar bashkë me disa shtete mike, ka penguar mbarëvajtjen diplomatike të Kosovës në rajonin që Ambasada në Kanberë e mbulon, dhe ka ndërprerë disa veprime që deri tash do të ishin kurorëzuar me sukses, në të mirë të fuqizimit të Kosovës në rajonin e Oqeanisë Jugore, e që për gjysme viti u ndërprenë dhe nuk u bë asgje, si dhe, nëse asgjë tjetër, të paktën ka humbur kredibiliteti në raport me shtetet e rajonit.

Shtoji kësaj edhe gafën diletante të Presidentes kur i bëri thirrje Indisë që ta njohë Kosovën tha se Kosova nuk është Kashmir! Ajo mendoi ta afektojë kështu Indinë për të kuptuar rrugëtimin specifik të Kosovës, por, në të vërtetë, ajo nuk ka llogaritur se si kjo do të ndikojë te vendet mike, të cilat tashmë na kanë njohur, si Pakistani, Bangladeshi e ndonjë tjetër. Thënë më së lehti, kjo ka shkaktuar indinjatë. Kur lobohet te një vend për njohje, kushdo që ka njohuri minimale diplomatike, e di se nuk duhet bërë krahasimet me problemet apo kontekstet që janë disa vende të involvuara sepse bëhet kundërefekt, por e para e Kosovês, me stilin populist, qoftë edhe padashje, irriton vendet njohëse.

Në këndvështrimin tim, gabimi më i madh i mundshëm i së parës së Kosovës është pozicionimi kundërshtues ose mospajtues me Washingtonin, sikurse bënë me kundërshtimin e Marrëveshjes se 4 shtatorit 2020. Kjo përveç se është gjeopolitikisht krejt anti-Kosovë, gjeostrategjikisht është distancim nga një superfuqi si ajo amerikane, e cila për fatin e madh tonin është lider i demokracisë dhe i lirisë, e që do të ishtë si me e pre me dorën tënde degën në të cilën je e ulur! Për Kosovën, distancimi nga SHBA është si me u distancua nga Zoti një besimtar!

E para e Kosovës duhet ta mësojë se askush, asnjë individ pavarësisht se çfarë posti mban, nuk është legjitim për me e prishë Kosovën me SHBA. Askush. Prandaj, nëse ajo vazhdon kështu me shtyrje përpara të agjendës së kursit të largimit nga SHBA, fundi i saj do të jetë i turpshëm.

E para e Kosovës duhet të shohë veten në pasqyrë dhe të reflektojë: nuk mundet frazeologjia, as thirrja në traditën e Presidentit Rugova, as deklarimi verbal pro-amerikan ta kamuflojnë e ta kontrabandojnë në të njëjtën kohë pohimin (anti-amerikan) se Washingtoni ka yshtur Kosovën, përmes KM Hoti, për të mbajtur një qëndrim në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo jo vetëm nxjerr në pah injorancën lidhur me konstelacionet ndërkombëtare dhe zhvillimet politike në glob të Presidentes së Kosovês, injorancë e cila, ngjanë në qëndrim e kalibruar me KM Kurti, tregon se e para e vendit është tinejxhere në politikë dhe nuk mëson dot të sillet si presidente, e cila duhet t’i mbrojë interesat e jashtme të Kosovës dhe t’i avancojë ato e jo t’i kompromitojë e t’i dëmtojë përmes qëndrimeve të ftohjes dhe të deklaratave që ushqejnë perceptime të gabuara sikur gjoja SHBA ka nxitur veprime antikushtetuese KM Hoti.

Një kundërpërgjie e butë erdhi nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë: “Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të implementuar Zotimet e tyre të Washingtonit në përkrahje të synimit për normalizim të plotë”!

Nëqoftëse me të vërtetë e beson atë që ka pohuar vetë Presidentja, se shqiptarët e Kosovês janë “populli më pro-amerikan në botë”, atëherë po aq e vëretë është fakti se ky popull, për fat të keq, ka një lidershipi, Kryeministër e Presidente, me kurs anti-amerikan. Kah po doni ta çoni Kosovën kështu!? Mbajeni mirë mend: Për Kosovën të jesh bashkërendues për gjithçka me SHBA është fat, fat i madh dhe privilegj i jashtëzakonshëm, që qëndron përtej çdo interesi meskin individual, grupor a partiak, përtej çdo ideologjie!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, do…