Kurti viziton AShAK-un, kërkon bashkëpunim për sektorin e energjisë

12 janar 2022 | 23:03

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku është pritur nga akademiku Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave Akademik, akademike Justina Pula, nënkryetare dhe anëtarët e AShAK-ut.

Në pritjen e sotme, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

“Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën”, tha kryeministri Kurti.

“Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën”, shtoi ai.

Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

Ai veçoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.

“Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri Kurti.

Në këtë takim, akademik Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë.

U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka siguruar finalen e “EFL Cup” pasi triumfoi në…