Parlamenti Evropian voton pro hapjes së negociatave për Shqipërinë
Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Evropian (PE) ka votuar me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime raportin e eurodeputetes Isabel Santos, mbi vlerësimin e Komisionit Europian (KE) për progresin e Shqipërisë në integrimin evropian gjatë vitit 2021.
Në raport eurodeputetët përgëzojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë drejt rrugës evropiane, mbështesin transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.
Sipas eurodeputetëve që kanë votuar pro raportit të Santos, dështimi i hapjes së negociatave deri tani ishte i padrejtë.
Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërës të raportit.
Duke përgëzuar vazhdimësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe i përkushtuar i politikës së jashtme në përputhje me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, raporti Santos i bëri thirrje BE-së të “vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Raporti u kërkon shteteve anëtare të demonstrojnë unitetin evropian duke nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo, duke marrë parasysh si implikimet gjeopolitike të vendimit ashtu edhe përmbushjen e kritereve zyrtare nga të dy vendet.
Raporti ripërsëriti se anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reformat e qëndrueshme dhe të pakthyeshme në fushat themelore të politikave.
Eurodeputetët i kanë kërkuar Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të përforcuar funksionimin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.
Vendi gjithashtu duhet të fuqizojë shoqërinë civile, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sigurojë lirinë e medias dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të pakicave, duke përfshirë komunitetin LGBTQI.
Të gjitha kompromiset politike janë aprovuar nga komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Evropian.



