Konjufca i kërkon që të ketë kujdes me fjalorin, Berisha: Jemi shumë në nivel

28 prill 2022 | 18:13

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka kërkuar deputetit të PDK-së, Hisen Berisha që të jetë më i kujdesshëm me fjalorin, pasi e ka cilësuar si “epidemiologjike” rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje si parti politike.

Pavarësisht kësaj, Berisha nuk është zmbrapsur. Ai e ka përdorur të njëjtin epitet edhe gjatë replikës, duke thënë se gjuha e opozitës është “shumë në nivel”.

“Ajo çfarë unë ju sugjeroj, të mos hezitoni ndaj këtij komisioni, se po ma përforconi bindjen dhe deklarimin që e kam bërë më 11 tetor 2019 në media se s’pata arritur me hy në Kuvend  se rritja juaj është epidemiologjike dhe se financat tuaja janë të dyshimta”, ka thënë Berisha.

Ndërsa Konjufca i ka thënë Berishës se është duke i ofenduar qytetarët.

“Deputet Berisha të kisha kërkuar që tjera herë fjalorin me e përdorë në mënyrë më të kujdesshme sepse kur thoni që… pra rritjen e një partie politike e vendosni në regjistrin e sëmundjes, kjo i ofendon shumë qytetarët, sepse tek e fundit qytetarët na sjellin këtu”.

“Mendoj se është gabim një shprehje e tillë dhe ju kërkoj që herët tjera të keni kujdes”, ka thënë Konjufca, i cili ka marrë këtë përgjigje nga këtë përgjigje nga Berisha.

“Shprehja rritje epidemiologjike nuk ka të bëjë me sëmundje njerëzish, por me rritje vote”.

“Sa i përket gjuhës, mendoj se jemi shumë në nivel ne si opozitë sot nëse i krahasoj, e s’po mundem me i gjetë me gjuhën e çjerrjet që i bënit ju nga qai krah atje”, ka thënë deputeti i PDK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para disa minutash ka ndodhur një aksident trafiku në magjistralen…