Kosova përballë diplomacisë ndërkombëtare në vitin 1998
Shkruan: Lulzim Nika
Kosova u bë shtet, si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë, gjithashtu përkrahjes së SHBA-së, por vendimtare ishin lëvizjet politike shqiptare që nuk pushuan me kërkesat për liri, pavarësisht rrethanave të rënda historike që kalonte populli shqiptar në Kosovë.
Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës ishte shumë i domosdoshëm për t’i informuar miqtë tanë me të vërtetën për Kosovën. Lufta çlirimtare erdhi si rezultat i brutalitetit dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve dhe u bë dëshmi e kërkesave për pavarësinë e Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë një faktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik, pa të cilin nuk mund të mendohej asnjë zgjidhje për çështjen e Kosovës.
UÇK-ja dhe roli i saj në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, mori vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare, që nga fillimet e rezistencës së armatosur, kur edhe në Kosovë, elementë të ndryshëm të politikës kosovare, mohonin ekzistencën e një force ushtarake që do të njihej me akronimin historik UÇK.
Kështu, qysh në dhjetor të vitit 1997, amerikanët nuk pajtohen me diplomatët dhe shërbimet e intelegjencës franko-gjermane, të cilat posedonin listën e të gjithë atyre që përkrahnin fondet e UÇK-së, përfshirë edhe disa emra në shtetin shqiptar, pra shërbimet intelegjente dhe diplomatët evropianë donin të ndalnin çdo aktivitet në ndihmë të UÇK-së dhe të bëheshin arrestime të veprimtarëve shqiptarë gjithandej Evropës, që të ndërpritej dhe ndalej lufta jonë për liri. Evropianët donin që Kosovës, si status politik, t’i jepej autonomia e Serbia kështu, të kishte sovranitetin e plotë mbi Kosovën.
Për fatin e mirë të Kosovës, diplomatët anglo-amerikanë nuk e miratuan propozimin franko- gjerman dhe përkrahja për të financuar luftën në Kosovë vazhdoi në vendet perëndimore.
Viti 1998, përkatësisht në verë të këtij viti, forcat e shtetit serb, në mënyrë të organizuar me ofenzivë ushtarake, bënë masakra në Drenicë, Dukagjin dhe në gjithë Kosovën.
Megjithatë, diplomacia ndërkombëtare nuk reshti përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për Kosovën. Maji i vitit 1998 ishte historik, me ç’rast për herë të parë, zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Klinton, priti delegacionin e Kosovës.
Në anën tjetër, në qershorin e vitit 1998, delegacioni serb, të cilit i printe krimineli Millosheviq, vizitoi Kremlinin dhe u prit nga Boris Jelcini.
Millosheviqi i kishte premtuar Jelcinit se do ta shkatërrojë UÇK-në gjatë muajit korrik deri në shtator dhe pasi UÇK-ja të humbte në terren, do të fillonte bisedimet pa prezencën e saj, për statusin politik te Kosovës.
Vera e vitit 1998, do të duhej të ishte vendimtare për ardhmërinë politike të Kosovës, meqë synohej që pa prezencën politike të UÇK-së, të ofrohej një formë e autonomisë si zgjidhje për Kosovën, meqë Jelcini kishte premtuar se do të angazhohej për një opsion të tillë. Ishte premtim i Millosheviqit para presidentit rus Jelcin se do të respektojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe se UÇK nuk do të ketë pas kësaj ofenzive. Konsolidimi i UÇK-së u intensifikua edhe më tej nga të rinjtë e të rejat kosovare, përkundër deklaratës së kryeministrit serb para parlamentit serb, se të gjitha bazat e UÇK-së ishin shkatërruar dhe nuk ekzistojnë në terren.
Paaftësia dhe pamundësia e Serbisë për ta ndryshuar gjendjen në terren, për ta shkatërruar UÇK-në e cila në anën tjetër kishte marrë edhe përkrahjen e diplomacisë britanike dhe të SHBA-së, për t’u përfaqësuar në negociatat për Kosovën, bëri kthesë për legjitimitetin politik ndërkombëtar të vizionit politik të UÇK-së.
Kjo kthesë e bëri UÇK-në faktor politik të rëndësisë së veçantë në bisedimet ndërkombëtare për statusin politik të Kosovës dhe kishte prishur premtimin e Millosheviqit, që ia kishte bërë Jelcinit në zyrën e tij, se deri në vjeshtë të 1998, do ta shkatërronte UÇK-në dhe do të fillonte bisedimet me palën shqiptare, pa prezencën politike të UÇK-së.
Presidenti Klinton nga takimi i shtatorit në Moskë me Jelcinin, ishte përqendruar me diplomaci që të arrinte marrëveshje me rusët për Kosovën, duke anashkaluar qeverinë serbe, me qëllim që bashkërisht t’ia imponojnë Beogradit, zgjidhjen për Kosovën.
Vendosja e Misionit Verifikues në Kosovë ndihmoi konsolidimin e UÇK -së në terren, duke zgjeruar shtrirjen pothuajse në të gjithë Kosovën. Në këtë mënyrë, SHBA-ja dëshironte që përfaqësuesit e UÇK-së të jenë në bisedimet e ardhshme për Kosovën dhe për këtë, administrata e Presidentit Klinton kishte vendosur që në qershor të vitit 1998.
Në të vërtetë, gjithnjë ka pasur një segment në politikën evropiane, që përpjekjen e Kosovës për liri, pavarësi e shtetndërtim, e ka parë me dyshim e në raste të tjera është përpjekur ta ngufasë çdo aspiratë tonën për liri e pavarësi.
Në këtë vazhdë, duhet parë edhe planet e diplomacisë evropiane për t’i arrestuar organizatorët e luftës për liri, që u realizuan me ndikimin e politikës ruso-serbe, me formimin e Gjykatës Speciale për të gjykuar të kaluarën tonë, përpjekjet dhe sakrificën për liri.
Nuk do të duhej të kundërshtohej Gjykata, nëse do t’i ndiqte dhe dënonte të gjithë, pavarësisht etnisë së tyre, që bënë krime në Kosovë dhe në dokumentet e kësaj gjykate politike të mos të përdorej sintagma “ndërrmarrje kriminale” për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që ishte organizim vullnetar për t’u mbrojtur nga gjenocidi shtetëror serb, por gjykata që në dokumentet themeltare të saj është paragjykuese, meqë të akuzuarit janë vetëm shqiptarët dhe UÇK-ja.
Një fillim i keq i gjykatës “së paanshme” ndërkombëtare, duke mos respektuar dhe vlerësuar sakrificën tonë për lirinë e Kosovës, bazamanet i së cilës është lufta çlirimtare. Dhe dënimi individëve nuk do të ishte edhe aq i dëmshëm sa do të jetë dënimi i strukturës komanduese të UÇK-së, që do të thotë, dënim i lirisë sonë.