Demokracia është goxha një sport i rëndë!
Shkruan: Valon Murati
Liria e shprehjes në demokracitë e konsoliduara është fituar në betejën e gjatë e shekullore me pushtetet absolutiste e autoritare. Në periudhën e përparimit të demokracisë liria e shprehjes u sofistikua si një kategori lirie që garanton lirinë e shprehjes së pakicës në raport me shumicën. Dhe jo vetëm kur kjo është një raport politik (pushtet/opozitë), por edhe kur është një raport në shoqërinë si tërësi. Për më tepër, liria e shprehjes merr kuptimin e plotë sidomos kur ke një mendim krejtësisht të ndryshëm nga tërë shoqëria. Sigurisht kufij ka, dhe ato kryesisht lidhen, kur liria e shprehjes shfrytëzohet për të bërë thirrje për diskriminimin individual apo grupor (në të gjitha bazat e mundshme), kur bëhet thirrje për linçim, kërcënim etj. Dhe në ato raste, janë organet e drejtësisë të cilat duhet të veprojnë. Por në asnjë rrethanë “populli” i facebook-ut, nuk ka asnjë legjitimitet që të linçojë dikë që mendon ndryshe. Situata të tilla linçimi, dëshmojnë për një krizë të thellë të demokracive në përgjithësi, për vështirësitë për të kontrolluar popullizmin e rrjeteve sociale dhe nevojën për të krijuar mekanizma demokratik që do të mund të përballojnë këtë turrë e mllef që përmes rrjeteve sociale të goditen mendimet jokonvencionale. Këto probleme po i tronditin edhe demokracitë më të konsoliduara, e sigurisht që këtë demokracinë tonë të brishtë e dridhin me themel. Demokracia është goxha një sport i rëndë!