LDK-ja reagon pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim e Kosovës në BE

14 dhjetor 2022 | 16:59

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkim Evropian (BE).

Halimi përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se anëtarësimi i shpejtë në BE është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale.

Po ashtu, ajo ka thënë se performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në BE është shumë e rëndësishme dhe sipas saj “kjo pamje do të mbetet vetëm imazh nëse nuk fuqizohet politika e jashtme”.

“Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme”, ka shkruar Halimi në “Facebook”.

Më tutje, Halimi ka rekomanduar që 75 milionë eurot që janë dhënë nga BE-ja për Kosovën të vihen në punë, në mënyrë që të mos ketë reduktime të rrymës.

“Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre – fonde mbështetëse për energjetikë – dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës. Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi”, ka shkruar ajo.

“Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit; qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore; e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike. Andaj, në vend të formaliteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
15.12.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Ferizaj 1.…