Cana: Trajnerin e Argjentinës e kam shok, në vitin 2002 më ftoi Franca
Lorik Cana ka dhënë një intervistë të gjatë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, teksa iu përgjigj pyetjeve të Mario Kalivas, autor, shkrimtar dhe poet i komunitetit arbëresh në Itali.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare vjen në një rrëfim të veçantë në lidhje me rrugëtimin e tij në futboll, por edhe vështirësitë jo të pakta që ka kaluar.
Ai gjithashtu mendon se Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar në Botëroret e ardhshme, transmeton PanoramaSport.
Kur filloi pasioni për futbollin?
Pasioni për futbollin mua më filloi që me kujtimet e para. Kam pasur fatin që edhe babai im ka qenë futbollist. Ne të Kosovës që kemi jetuar në ish-Jugosllavi, në ato vite kur situata u bë shumë e tensionuar dhe kur filluan rrymat nacionaliste, atëherë doli një element që u shndërrua në zërin e shqiptarëve, që ishte futbolli. Në ato vite ishin dy skuadra që bënë histori, Trepça e Mitrovicës dhe Prishtina, ku arriti të futej edhe në ligën e parë të kampionatit të ish-Jugosllavisë që ishte ndër kampionatet më të forta. Në atë gjeneratën e artë të atyre viteve, ishte edhe babai im. Unë jam rritur me hapat e tij dhe ai ma ka kaluar pasionin për futbollin.
Mendoni se Shqipëria ka mundësi që të marrë pjesë në kampionatin e ardhshëm botëror?
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Kur sheh një shtet si Kroacia që është vetëm katër milionë banorë dhe bëhet për 25-30 vite dy herë gjysmëfinaliste dhe një herë si finaliste, atëherë patjetër që ne si shqiptarë kemi mundësi të mëdha, por kemi pasur një mundësi të artë para 15 viteve, kur unë kam qenë me Kombëtaren, që kemi pasur mundësinë që të bashkohemi të gjithë me origjinë shqiptare nën simbolet e Kombëtares, që u shpërblye pastaj edhe me kualifikimin në “EURO 2016”. Tani po shohim që kemi shumë lojtarë të rinj, të cilët po dalin dhe ajo që e bën pak të vështirë tani është se Kosova ka përfaqësuesen e vet, me lojtarë shumë të mirë dhe të rinj që luajnë në nivele të larta. Po ashtu Shqipëria ka lojtarë dhe cilësi të madhe. Unë mendoj se nëse do të ishim bashkë në një ekip, mendoj se do të arrihej më shpejt kualifikimi në Botëror. Është ëndrra e të gjithë tifozëve tanë.
U larguat në Zvicër për shkak të luftës, a keni kujtime nga ajo kohë?
Gjenerata ime, e viteve ‘80, kemi jetuar si një minoritet në një shtet të madh siç ishte Jugosllavia. Shpeshherë i privuar nga disa të drejta elementare për liri dhe arsimim. Kosova është shfrytëzuar gjithmonë, si nga ana e forcës punëtore apo edhe e tokës pjellore që ka pasur. Ka prodhuar energji. Por në ato vite, edhe pak më parë në Jugosllavi sërish jetohej pak më mirë sesa në Shqipëri, ku ishte regjimi i tmerrshëm komunist, me kushte tepër të vështira. Ndërkohë, pas viteve ‘80-‘90, në Kosovë ishte një situatë e tensionuar. Gjyshin e kam pasur në politikë dhe ishte një nga deputetët e Kosovës. Atëherë le të themi se një pjesë e familjes sime u persekutua politikisht, u fsheh për katër vite dhe kur filloi situata e luftës, babi shkoi në Zvicër për të bërë një provë në një ekip futbolli në fund të karrierës dhe na mori me vete aty, ku kërkuam edhe statusin e azilit politik. Aty qëndruam nga ‘90 deri në vitin 2000.
Shkuat në Lozanë dhe filluat aty të luanit?
Po, Lozana është një nga qytetet më të mëdha të zonës frankofone. Unë vazhdova aty dhe luajta me ekipin e Lozanës, prej moshës 8- vjeçare deri në 16 kam vazhduar studimet aty dhe kam ndjekur edhe futbollin, deri sa mu dha mundësia të shkoja në Paris.
Si shkuat te PSG-ja?
Në ato vite, ne që ishim me status refugjati nuk mund të dilnim nga Zvicra. Dy apo tri herë që kam dalë ishte ilegalisht me skuadrën e futbollit, sepse ishim azilantë. Pastaj më vonë mu dha mundësia që të shkoj për një provë te PSG-ja, po ashtu mbaroi edhe lufta në Kosovë, ndërkohë që Zvicra i ktheu prindërit e mi në Kosovë, unë qëndrova 5 muaj në Francë.
Si është të luash në “Park de Prince”?
Unë që i vogël kam qenë tifoz i Marsejës, pasi në ato zona ku isha në Zvicër, klubi më i madh ishte Marseja sepse në ato vite ishte fituese e Champions-it, një superskuadër. Pastaj kur erdhi Parisi, ishte një mundësi e madhe dhe një ëndërr e pastaj Parisi ka qenë vendi ku jam rritur dhe kam bërë ndeshjet e para, me lojtarë si Ronaldinho në ekip.
Ronaldinho ishte më i fortë te PSG-ja apo te Barcelona?
Ka qenë gjithmonë i fortë, por më mirë ishte te Barcelona. Erdhi në Paris nga Brazili dhe mësoi shumë. Tregoi aty disa nga cilësitë e tij të jashtëzakonshme, pavarësisht se Kupën e Botës kur e fitoi ishte akoma në Paris, në 2002-shin. Pastaj me Barçën u bë një nga lojtarët më të mirë në botë. Edhe kur shkoi te Milani bëri mirë.
Kur shkuat me Kombëtaren shqiptare, kishte thirrje nga kombëtarja franceze?
Po, kisha thirrje nga Shpresa e Francës, në vitin 2002. Ishin të gatshëm që të më bënin nënshtetësinë dhe pasaportën për të luajtur për Francën. Po flasim për verën e 2002-shit. Atëherë nuk i kam dhënë një rëndësi shumë të madhe pasi kisha gjithmonë në kokën time se nëse do të bëhesha një futbollist profesionist, do të zgjidhja gjithmonë të luaja për Shqipërinë.
Si u ndiet kur shkuat për herë të parë në Kombëtare?
Ajo është një krenari shumë e madhe, sidomos për ne që ishim nga Kosova. Shqipëria ka qenë gjithmonë ai vendi që nuk kemi pasur mundësi të shkojmë, që nuk e njohim mirë, por e dimë se aty janë vëllezërit tanë, që është pjesë e trupit tonë, ku duhet të kthehemi dhe të bëhemi bashkë. Për mua ishte një qëllim që të përfaqësoja atë flamur dhe futbolli na i bëri realitet. Ajo që kishte më rëndësi ishte jo që të luaj për Shqipërinë, por që të luaj për shqiptarët si shqiptar. Ju e dini shumë mirë që kur mbaroi lufta, gjysma e shqiptarëve ishim jashtë kufijve dhe ndjenja për atë flamur ka qenë ndonjëherë më e madhe për ne që kemi qenë jashtë Shqipërisë sesa ata që kanë qenë aty, sepse ne e kishim të ndaluar dhe futbolli na e ka mundësuar që të bëjmë diçka bashkë. Gjithashtu ishte një kënaqësi kur erdhi ftesa dhe ndeshja e parë patjetër e veçantë dhe me emocione të mëdha dhe nuk harrohet asnjëherë.
Çfarë ju ka mësuar bota e futbollit për jetën?
Bota e futbollit është një shkollë më vete sepse të mundëson që të shohësh shumë vende. Kam jetuar në tri kryeqytete të mëdha si Parisi, Stambolli dhe Roma. Mëson gjuhë dhe takon njerëz, mentalitete të ndryshme. Pastaj sporti është pasioni ynë kryesor dhe të jep shumë mësime e të përgatit për të mbajtur vlerat e tua dhe duke qenë i hapur për t’i marrë më të mirat botës. Pastaj përveç faktit që ke shumë fansa që të ndjekin, edhe pse çdo gjeneratë kalon.
Keni qenë edhe në Premier Ligë, si ka qenë ritmi në krahasim me Serinë A?
Diferenca nuk është shumë e madhe. Tani që po kalojnë vitet, futbolli po bëhet universal dhe është e vërtetë që në Angli luhet shumë shpejt dhe drejtpërdrejt dhe ambienti si përjetohet aty është fantastik. E kam shijuar shumë kohën aty.
Në Itali ka disa probleme me stadiumet, vetëm ai i Juventusit është i ri, si e shihni këtë gjë?
Mendoj se ka ardhur momenti për të investuar. Ndoshta në aspektin ekonomik nuk është lëvizje e duhur, por në të ardhmen e afërt duhet të investojë, sepse ka humbur shumë në krahasim me Francën, Gjermaninë e Spanjën që kanë ecur përpara.
Përveç Ronaldinhos, cili ka qenë lojtari më i fortë me të cilin keni luajtur?
Ka pasur shumë, Ribery, Klose, Ronaldinho.
Si ju duk Botërori i Katarit?
Bëja tifo për Francën, por fatkeqësisht humbi në finale. Argjentina besoj se e meritoi dhe e luajti më mirë finalen. U lumturova për trajnerin Scaloni, të cilin e kam mik dhe kemi qenë bashkë te Lazio dhe kemi bërë bashkë kurset e trajnerit. Nga hapat e parë deri në kampion bote, për këtë isha i lumtur. Për një kohë shumë të shkurtër bëri një histori të jashtëzakonshme.