Krasniqi risjellë Deklaratën e Pavarësisë, të lexuar 15 vjet më parë nga ish-kryeministri Thaçi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka rikthyer sot (e premte) në seancën solemne të përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës, Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë që ish-kryeministri Hashim Thaçi e kishte lexuar më 17 shkurt 2008.
“Më lejoni, që duke ndjerë rrahjen e zemrave të stërgjyshërve tanë, unë me nderin dhe privilegjin më të madh, do të lexoj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, ka cituar Krasniqi, Thaçin.
Krasniqi, ka thënë se në historinë e Kuvendit të Kosovës, nuk ka fjalë e lajm që është pritur më gjatë.
“Fjalë që peshojnë përherë njëjtë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, që përmbledhin një rrugëtim të gjatë historik, një vetëdije të gjerë shoqërore, një kërkesë të drejtë e legjitime politike dhe një aspiratë për t’i dhënë Kosovës emrin e saj të vërtetë: shtet i pavarur e sovran. Çdo 17 Shkurt, kur përsëritet kujtesa e asaj dite historike, e ndjej peshën që kemi pasur të gjithë ne, që fati na zgjodhi për ta nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, si diçka që na mbanë të lidhur për atë rrugëtim e atë vetëdije”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e çlirimtarëve që gjenden në Hagë për të mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së, e veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për të vërtetën e luftës sonë për liri. Do të duhej të ishin në këtë sallë bashkë me ne, në një rast solemn si ky që përkujton një ngjarje kaq madhore, protagonistë të së cilës ishin pikërisht ata vetë. E ndonëse ata nuk janë me ne fizikisht, vazhdojnë të mbesin në zemrat e qytetarëve të Kosovës. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi as mëdyshje se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë. Historia e Kosovës moderne, është e lidhur me emrat e tyre, dhe veçmas me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Hashim Thaçi, pa emrin e të cilit, 17 shkurti 2008 si datë dhe shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk mund të kuptohen as si të plota, e as si të sakta”, ka thënë Krasniqi.



