Specializantët protestojnë kundër vendimit të ShSKUK-së: Na detyron të punojmë pa pagesë

13 mars 2023 | 11:34

Këshilli i Specializantëve të QKUK-së ka protestuar të hënën para administratës qendrore të QKUK-së për shkak të pagesës së kujdestarive në kundërshtim me Ligjin e Pagave dhe vendimeve të qeverisë.

Sipas tyre, ky vendim i detyron ata që të punojnë pa pagesë dhe në kundërshtim të vendimit të qeverisë.

Ata kanë thënë se nuk do të ndalen dhe se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi, ka thënë se protestat nuk do t’i ndalin dhe se do t’i ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Ne sot kemi vendosur për të protestuar kundër vendimit të ShSKUK-së i cili është marrë më 1 mars 2023, vendim i cili na detyron neve që të punojmë në kundërshtim të ligjit të punës dhe na detyron që të punojmë pa pagesë. Në të njëjtën kohë, ajo që është më e rënda në aspektin penal, ky vendim është duke na detyruar neve që të punojmë kundër rregullores e cila është miratuar më 3 shkurt 2023. Prej 1 marsit sipas vendimit të ShSKUK-së dhe sipas letrës rekomandues ne do të paguhemi në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë ai.

E Veton Kurti, specializant i Radiologjisë, ka kërkuar që këto probleme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë.

“Çdo dy, tre muaj po kemi këso probleme. Ju jeni dëshmitarë të asaj që para dy – tre muajve keni qenë këtu për të njëjtin problem. Çdo dy, tre muaj e kemi këtë problem, shpresoj që njëherë e mirë të zgjidhet ky problem, sepse edhe ne nuk jemi duke dalë këtu nga qejfi por nga zori”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina dhe Rusia janë duke raportuar për humbje të mëdha,…