S’ka seancë parlamentare këtë javë, kjo është arsyeja
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këtë javë nuk do të ketë seancë parlamentare, për shkak se dy delegacione do të jenë në udhëtim jashtë shtetit.
Ajo ka thënë se seanca do të vazhdojë javën e ardhshme.
“U konfirmua se në këtë javë nuk do të këtë seanca plenare sepse dy delegacione të vendit do të jenë në udhëtime jashtë vendit. I bije që seancat e radhës të jenë në javën e ardhshme. Të gjitha komisionet do të vazhdojnë mbledhjet”, ka bërë me dije Kusari-Lila.
Lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, Kusari-Lila ka thënë se mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final që do të përdoret nga muaji prill.
Ajo është deklaruar edhe rreth bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe pajtueshmërisë rreth planit evropian, për çka pritet të mbahet takim i radhës në Ohër më 18 mars.
“Pala e Kosovës ka prezantuar gatishmërinë për t’u dakorduar për një plan që rrjedh nga propozimi evropian. Presim qasje konstruktive edhe pse mund të flasim vetëm për njërën palë. A do të ketë sukses takimi në Ohër mbetet të shihet. Sa i përket përmbajtjes së planit është ende në proces. Ajo është në mes të palëve”, është shprehur Kusari-Lila.




