Muja për marrëveshjen Kurti-Vuçiq: Dakordimi është marrëveshje ligjërisht e obligueshme

19 mars 2023 | 13:55

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, ka thënë se edhe pa nënshkrim të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dakordimi nënkupton se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti dhe vartës të tjerë të tij kanë thënë vazhdimisht që mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia nënkupton që për ta marrëveshja nuk ishte e mirë.

Muja ka thënë se “Kurti ka bërë një punë brilante të pastrimit të bërllokut të krijuar ndërmjet 2011-2020”.

“Kosova ishte e gatshme të nënshkruaj, Serbia jo. Megjithatë, edhe dakordimi me procesverbal është marrëveshje ligjërisht e obligueshme sipas praktikës së të drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Muja në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mujës, pa ndërhyrje

Nga deklarata e Borrel bëhet e ditur se (1) Kosova dhe Serbia janë pajtuar të zbatojnë Marrëveshjen [Planin Franko-Gjerman]. (2) Serbia dhe Kosova udhëheqen nga parimet e respektimit ‘të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë ..’, (3) Serbia dhe Kosova pajtohen që ‘asnjëra nuk përfaqëson tjetren në sferën ndërkombëtare’, (4) Kosova dhe Serbia pajtohen të mos pengojnë njëra tjetrën drejt integrimit evropian dhe të respektojnë parimet e BE-së në nenin 2 [mbrojtja e minoriteteve] dhe 21 [liria e lëvizjes], (5) Serbia dhe Kosova operojnë mbi parimin e barazisë dhe ‘njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës’ dhe (6) Kosova pajtohet për ofrimin e garancioneve për një nivel vet-menaxhimi për komunitetin serb në Kosovë [bazuar në instrumentet e Këshillit të Evropës].

Kosova ishte e gatshme të nënshkruaj, Serbia jo. Megjithatë, edhe dakordimi me procesverbal është marrëveshje ligjërisht e obligueshme sipas praktikës së të drejtës ndërkombëtare. Serbia njeh atributet shtetërore të Kosovës [njohje defacto] dhe pajtohet më subjektivitetin e mëvetsishëm ndërkombëtar të Kosovës. BE i referohet marrëveshjes si ‘Kosovë-Serbi’ jo më Prishtinë-Beograd’. Me këtë bjen fusnota. Gjithashtu, hiqen pengesat për anëtarësim të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Serbia njeh integritetin territorial të Kosovës dhe juridiksionin e saj. Me këtë i jep fund projektit të mëhershëm për ndarje të Kosovës. Serbia ka nënshkruar/inicializuar të gjitha marrëveshjet paraprake, përjashtim kësaj, Planit të Ahtisarit dhe asaj të Rambujesë. Pse? Kosova pajtohet dhe garanton një nivel vet-menaxhimi për komunitetin serb për shërbime specifike publike. Kosova kreativisht kolektivizon ca të drejta për minoritetin serb por ik kantonizimit.

Gjykuar nga të deklarata e Borrel, Kryeministri Kurti ka bërë një punë brilante të pastrimit të bërllogut të krijuar ndërmjet 2011-2020. Duke u rezervuar nga ngazëllimet infantile që karakterizonin politikën e Kosovës 2010-2020, ka detyruar Vučić të pranoj një marrëveshje që nuk qe i gatshëm të nënshkruante. Me këtë, përpjekjet e tij dhe opozitës për të portretizuar Kosovën/Kryeministrin Kurti si palë jo-konstruktive apo ‘anti-amerikane/anti-perendimore’ marrin fund. Marrëveshja në 7 nene përqëndrohet në çka fiton Kosova, ndërsa në 2 nene çka përfiton komuniteti serb. Marrëveshja, praktikisht, në shumicën e saj, tenton të hap shtigje për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, heqjen e vetos së vendeve mos-njohëse, mbrojtjen integritetit territorial dhe garantimin e integrimit evropian në këmbim të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Serbia do të vazhdoj të sabotoj marrëveshjen. Ne asnjëherë nuk do të pajtohemi me Vučić sepse kemi dallime vlerash, por qëllimi ishte dhe do të jenë vendet mos-njohëse të BE-NATO. Përpjekja për të ruajtur unitaritetin, ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë do të dhe duhet të vazhdoj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, duke folur për marrëveshjen…