Hoti kritikon ashpër qeverinë Kurti: E tmerrshme, kjo s’na kishte ndodhur për 20 vjet
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nga sot ushtrues i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të jetë ushtruesi i detyrës së zëvendësguvernatorit. Deputeti Hoti ka thënë se një gjë e tillë s’është parë për 20 vjet në Kosovë.
Hoti duke i quajtur qeverinë Kurti si “mashtruese dhe të paaftë”, ka thënë se me tendencën për të kapur gjithçka, e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit, derisa ka shtuar se tashmë është dëmtuar edhe procesi i zgjedhjes së guvernatorit.
“ Këta mashtrues e të paaftë, me tendencë për të kapur gjithçka, gjatë tërë vitit 2022 e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit. Ndërkaq, tani e kanë dëmtuar edhe procesin e zgjedhjesh së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ai ka thënë se tashmë është krijuar një situatë e jashtëzakonshme ku kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e guvernatorit.
“Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, ka shkruar Hoti.