Lajçak: Shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që të fokusohemi në zbatimin e marrëveshjes
I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak tha se zhvilloi diskutim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e sotëm në Prishtinë.
“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.
Duke folur para gazetarëve pas takimit, emisari evropian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.
“Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv por shumë i rëndësishëm”.
Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, prej ku dëshiron të shohë nga afër situatën atje.
“Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të fokusohemi në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh ai.
I pyetur për modelin kroat për Asociacionin për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.
Lajçak bëri me dije se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën e 15 majit.



