Këlliçi reagon pas humbjes në Tiranë: Rezultati nuk pasqyron realitetin
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar të Tiranës, Belind Këlliçi, ka reaguar në lidhje humbjen në zgjedhjet lokale përballë Erion Veliajt të Partisë Socialiste, i cili ka dalë fitues.
Me këtë rast, Këlliçi ka thënë se rezultati në Tiranë nuk pasqyron realitetin dhe vullnetin e qytetarëve.
Sipas tij, ky rezultat është i ndikuar nga makineria shtetërore e fushatës elektorale të PS-së.
“Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve të Tiranës. Asetet publike janë vendosur në dispozicion dhe janë shfrytëzuar në maksimum për të prodhuar këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë çdo orë për të faktuar çdo shkelje që është kryer. Rezultati nuk i përgjigjet asaj që banorët mendojnë për kryebashkiakun aktual”, ka thënë Këlliçi.



