Afera e vajit dhe grurit, Shala: Nëse qeveria nuk jep llogari do ta iniciojmë themelimin e komisionit hetimor parlamentar

03 gusht 2023 | 14:22

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës  (PDK), Ferat Shala, ka bërë me dije se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore parlamentare për t’i sqaruar dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti,  ka thënë për “Epokën e re” se nëse qeveria nuk ndërmerr veprime për t’i sqaruar dyshimet për aferën e vajit dhe grurit, atëherë si parti parlamentare do të kërkojnë themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

“Definitivisht jemi të gatshëm sepse ne kemi pasur praktika të tilla kur qeveria ka insistuar t’i ik llogaridhënies edhe tek aferat e energjisë, por me insistimin e partive opozitare ne kemi arritur t’i krijojmë komisionet hetimore parlamentare dhe sot si rezultat i atyre komisioneve ne kemi veprime konkrete juridike të institucioneve të tjera shtetërore. Dhe nëse deri në vjeshtë nuk kemi  veprim juridik dhe nëse nuk kemi sqarime nga mazhoranca, gjegjësisht nga qeveria dhe llogaridhënie, atëherë domosdoshmërisht do të përdorim edhe mekanizmin e fundit që është komisioni hetimor  parlamentar. Por, i bëjë thirrje kryeministrit dhe qeverisë që për të mos e prishur normalitetin e funksionimit të Kuvendit në vjeshtë, ai (Albin Kurti) urgjentisht do të duhej të merr masa, ta sqarojë para opinionit çështjen e rezervës shtetërore konform përgjegjësive që ka qeveria dhe secili akter qeveritar”, ka thënë Shala.

Shala ka theksuar se shqetësimet për rezervat e vajit dhe grurit i kanë ngritur në Kuvendin e Kosovës tash e një vit.

“Grupi parlamentar i PDK-së i ka ngritur këto shqetësime më shumë se një vjet, veçanërisht për rezervat e miellit dhe vajit. Kemi pasur debate, pyetje parlamentare dhe shqetësime për këtë tema. Në kuadër të kësaj kemi pasur edhe një debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës ku i kemi shpërfaqur të gjitha dyshimet tona, tashmë të bazuara  për keqpërdorime të skajshme sa i përket  rezervave shtetërore, veçanërisht të produkteve të vajit dhe grurit, por edhe të produkteve të tjera. Në këtë relacion, qeveria, gjegjësisht ministria dhe kryeministri i kanë ikur realitetit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies, duke e mbuluar këtë aferë dhe këtë keqpërdorim të skajshëm, duke i vendosur siglën ‘sekret shtetëror’  dhe duke mbyllur çdo informacion  për qytetarët, për vendin dhe për parlamentarët çka është më e keqja. Në këtë relacion përkundër vështirësive të mëdha për të ardhur deri të informacionet, tashmë janë publike ku edhe mediet e kanë konstatuar ku sot kemi skandalet  më të mëdha korruptive që kanë ndodhur në ketë qeveri me rezervat shtetërore ku parashihet se do të jenë të implikuar, jo vetëm ministra dhe zëvendësministra, por ndoshta edhe nivele të larta të kabinetit të kryeministrit”, është shprehur Shala.

Në këtë kontekst, Shala ka kërkuar dorëheqjen e ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari.

“Kjo ministre duhet ta lirojë detyrën. Fatkeqësisht ajo është mbrojtur me fanatizëm të paparë dhe në mënyrë të paarsyeshme nga kryeministri sepse si duket është jashtëzakonisht problematike çështja e aferave qoftë të energjisë apo rezervave shtetërore sepse kryeministri është në dijeni për to ose për mos të thënë i involvuar  dirket”, është shprehur Shala, duke shutuar se askush nuk do të mund ta ndalë dalë në pah e vërteta për rezervat shtetërore.

“Asgjë nuk mund ta ndalë të vërtetën. Ne si parti parlamentare dhe opozitare  do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që brenda kuadrit legjislativ, Rregullores së Kuvendit që në sesionin vjeshtor  ta aktualizojmë këtë temë dhe ta zbardhim çoftë edhe me komisione hetimore parlamentare apo me sesione të tjera të debatit”, është shprehur Shala.

Më tutje, Shala ka thënë se historia e Kosovës nuk njeh qeveri më të korruptuar se kjo e tanishmja që drejtohet nga Albin Kurti.

Nëse e marrim parasysh aspektin kohor të qeverisjes dyvjeçare dhe i marrim parametrat të cilët janë të njohur deri më tani dhe shumë të panjohura, flas për afera korruptive nga sektori i energjisë, nga sektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai i infrastrukturës  që tashmë aferat korruptive janë të dukshme dhe  të matshme në pjesë dhe segmente të caktuara si dhe aferën e fundit për rezervën shtetërore, nuk ka qeveri për kaq kohë të shkurtër që ka pasur afera korruptive  dhe kaq shumë skandale  të niveleve menaxhuese. Në këtë relacion ne nuk e kemi asnjë parametër zhvillimor. Ne sot e kemi shkallën më të ulët  të realizimit të projekteve nëse e marrim dhe e krahasojmë me periudhën kohore, por edhe me buxhetin sepse gjithmonë shkalla e realizimit të investimeve kapitale matet se sa ka qenë i p[planifikuar buxheti. Pra kemi një buxhet jashtëzakonisht të lartë dhe kemi një shkallë shumë të ulët të realizimit të investimeve kapitale.  Në këtë fushë nuk kemi sot asnjë parametër ekonomik që mund ta arsyetonte apo vlerësonte pozitivisht funksionimin e kësaj qeverie”, është shprehur Shala.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të garave…