Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar nis vizitën e tij në Kosovë
Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons, po qëndron në vizitë në Kosovë. Ai së bashku me kreun e Komiteti Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini sot kanë bërë hapjen e garave të boçës, goalballit dhe xhudos në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Emini shprehu mirënjohje për prezencën e Parsons në Kosovë, duke thënë se vizita e tij është dëshmi e përkrahjes nga një institucion gjigand i paralimpizmit botëror.
“Ne, të bashkuar, do të vijojmë rrugëtimin tonë në “Paris 2024”, duke shënuar kështu kalimin e kufijve dhe duke garuar me para sportistë të klasës botërore”, ka thënë Emini.
Ndërsa, Parsons tha se pranimi i Komiteti Paralimpik të Kosovës ndërkombëtarisht është bërë falë përpjekjeve të kreut të saj Njomza Emini, e cila u përkushtua jo vetëm për këtë proces dhe pjesëmarrjen në lojëra ndërkombëtare, por edhe për fuqinë e këtij komiteti si forcë ndryshimi në Kosovë. Parsons gjatë ditës ka vizituar Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku takoi Bordin Drejtues të këtij komiteti, me të cilët diskutoi rreth zhvillimit të paralimpizmit në vendin tonë, sfidat dhe rrugën përpara, duke premtuar mbështetje në realizim të objektivave të tyre.
Ndryshe, Parsons do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues dhe krerë institucionesh, personalitete të sportit dhe partnerë të para sportit. Kjo është vizita e parë e tij, e cila organizohet nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, pak muaj pas anëtarësimit të vendit tonë në këtë instancë ndërkombëtare.