Kurti përkujton të vrarët në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë
Pas homazheve në Kralan, kryeministri Albin Kurti vazhdoi drejt qytetit të Gjakovës, për të bërë homazhe te varrezat e të vrarëve nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës nga forcat e armatosura serbe.
Në shënim të kësaj date të dhimbjes historike për familjarët e familjes Vejsa, kryeministri Kurti, deklaroi se vrasja e fëmijëve, foshnjave, pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit nga ana e Serbisë e cila u përpoq ta shfarosë popullin e Kosovës.
Teksa shprehu mirënjohjen e tij për forcën e familjeve, kryeministri Kurti theksoi se duhet të adresohen me urgjencë krimet e kryera gjatë luftës përderisa dëshmitë dhe dëshmitarët janë të gjallë. Ai tha se plagët po vazhdojnë ende të kullojnë përderisa nuk ka drejtësi.
“Ekzekutorët janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, ai theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjet, dhe për të nderuar sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit të Kosovës.
Bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila dhe Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal, dhe familjarë të të vrarëve.
Kryeministri Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule edhe te varret e të vrarëve nga familjet Bardoniqi, Dulatahu e Gerqari.